Një senator i Paraguait është dënuar me 13 vite burg nga një gjykatë apeli, pasi u shpall fajtor për pastrim parash, trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Bëhet fjalë për Erico Galeano, anëtar i partisë në pushtet Kolorado, e cila mbështet qeverinë e presidentit Santiago Peña. Gjykata konfirmoi vendimin e dhënë në shkallën e parë në muajin mars, pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar një dënim më të rëndë, deri në 17 vite burg.
Sipas hetimeve, 59-vjeçari kishte lidhje me një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, i drejtuar nga Sebastian Marchet, një nga personat më të kërkuar në rajonin e Amerikës së Jugut, i cili u arrestua në Bolivi dhe më pas u ekstradua në SHBA. Në këtë rrjet përfshihej edhe Miguel Angel Insfrán, i dënuar më herët me 15 vite burg.
Gjykata arriti në përfundimin se Galeano kishte përfituar financiarisht nga aktivitetet e paligjshme, duke përdorur edhe klubin e futbollit Deportivo Capiatá, ku ai ishte president, për të pastruar para.
Vendimi përmend edhe një transaksion të dyshimtë të vitit 2020, ku një pronë e blerë për 200 mijë dollarë u rishit për 1 milion dollarë në para cash, pa u deklaruar në dokumentet tatimore, me qëllim fshehjen e origjinës së parave dhe identitetit të blerësit.
Po ashtu, senatori akuzohet se ka përdorur një avion privat në pronësi të tij për transportimin e kokainës.
Rasti ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar në Paraguai, ku edhe në të kaluarën zyrtarë të lartë janë përballur me akuza të ngjashme


