ARBITRAZH/ Rasti i Martin Arëzës, akuzohet si bashkëpunëtor në grabitjen me dhunë të kambistit Shefqet Muçës

0
59

Dy vite pas grabitjes së kambistit Shefet Muça dalin të tjera të dhëna për autorët e këtij krimi i cili ka ndodhur në Korçë. Aktualisht për këtë ngjarje janë pas hekurave dhe rezultojnë të dënuar me vendim të formës prerë dy të rinj, juristi Agim Caci dhe ish-punonjësi i policisë së shtetit Martin Arza, ndërsa personi i tretë që ka marrë pjesë në këtë grabitje nuk është identifikuar ende, pasi asnjëri nga të arrestuarit për ngjarjen nuk ka treguar bashkëpunëtorët që kanë marrë pjesë në grabitjen e kambistit Muço.

Ngjarja për të cilën akuzohet Martin Arëza,  ka ndodhur më 11 Janar 2021 në Korçë rreth orës 06:10, në lagjen nr.1, në rrugën e “Bilbilave”. Tre persona nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Shefqet Muço, me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij. Sipas burimeve zyrtare të policisë personat që kanë kryer grabitjen kanë arritur të marrin 4.000.000 lekë të reja që kishte në çantë.

Të njëjtat burime shprehen se njëri nga grabitësit është mbajtur me forcë nga ana e Muçës, dy të tjerë kanë mundur të largohen në drejtim të paditur së bashku me shumën e lekëve që kanë grabitur. Policia bëri të ditur në atë kohë që grabitja ka ndodhur pikërisht në momentin që Muça ka dalë nga banesa e tij, ku ai është sulmuar nga tre grabitës me maska, të pajisur me armë dhe mjete të forta. Sipas policisë dyshohej se grabitësit dukeshin që e kishin ndjekur prej ditësh kambistin, pasi dinin me saktësi çdo lëvizje të tij nga banesa ku jetonte, orarin e daljes në punë dhe vendin ku ai qëndronte.

Në momentin që është tentuar t’i merrnin lekët, Shefqet Muça është përleshur me grabitësit, ndërkohë që në ndihmë i kanë ardhur bashkëshortja e tij, djali dhe vajza, të katërt mbetën të plagosur në atë kohë për shkak të përleshjes me grabitësit. Muça ka arritur që një nga grabitësit ta neutralizojë dhe ta mbajë me forcë duke mos e lëshuar, ndërsa dy grabitësit e tjerë kanë mundur të largoheshin, nga frika, pasi në ndihmë të familjes Muça kanë ardhur edhe banorët e lagjes ku ata banonin, të cilët kanë dëgjuar edhe ulërimat gjatë përleshjeve të familjarëve të kambistit me tre grabitësit.

Sipas policisë kanë qenë fqinjët që kanë lajmëruar menjëherë policinë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke arrestuar para banesës së Muçës, Agim Cacin nga Moglica, me banim në Durrës. Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Martin Arëza, 33 vjeç, banues në Korçë. Ish efektiv i Policisë së Shtetit, i cili është arrestuar dy muaj pas grabitjes së kambistit Shefqet Muça. Të arrestuarit janë hetuar e gjykuar për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.