Arrestohet i riu që vuri tritolin tek shtëpia e Armando Dukës

0
114

Arlen Hasanaj, banor i lagjes 4 të qytetit bregdetar, është shoqeruar mbrëmjen e sotme si autor i dyshuar i vendosjes së lëndës eksplozive një natë më parë në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka.

Në identifikimin dhe kapjen e autorit te dyshuar të ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Durrësit mbrëmjen e djeshme kanë ndihmuar kamerat e sigurisë, të cilat kanë kapur lëvizjet e autorit para, gjatë dhe pas vendosjes së eksplozivit.

Kamerat e sigurisë së pallatit ku jeton duket se kanë tradhëtuar personin që dyshohet se ka vendosur lëndën shpërthyese në banesën e kreut të FSHF-së Armand Dukës mbrëmjen e të Hënës në Durrës. Në pranga ka rënë i riu Arlen Hasanaj, 34 vjec, banues në lagjen nr 4 të qytetit bregdetar, ndërsa vendimtare për të bindur hetuesit se ai është autori, kanë qenë hyrje-daljet e tij në pallat si dhe krahasimi i identitetit të tij.

Për blutë e Durrësit është ende i paqartë motivi që e ka dërguar Hasanajn drejt një veprimi të tillë dhe nëse ka ndonjë konflikt me Armand Dukën. Ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë në rrugën paralele me portin duke lëvizur me një automjet tip ML të cilin e ka lëvizur pak metra. Hasanaj gjithashtu është parë përmes ndjekjes së itinerarit të tij nga kamerat e sigurisë në zonë, të futet edhe në një pallat në Durrës. Kanë mjaftuar këto pamje për ta çuar grupin hetimor drejt zbulimit të identitetit përmes targës së automjetit.

Rikujtojmë se Armand Duka ndodhet në një konflikt të hapur në distancë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kërkuar publikisht largimin e Dukës nga kreu i FSHF-së pas 5 mandateve.

Ditën e djeshme është publikuar një audiopërgjim i Veliajt ku fliste me fjalor banal dhe me kërcënime për largimin e Dukës nga kreu i FSHF-së, ndërkohë më herët ai ka kërkuar kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për shpërdorim detyre që sipas tij ka bërë Duka.

Po ditën e djeshme, Agron Duka, vëllai i kreut të FSHF-së, deklaroi se ndihen të frikësuar nga këto sulme publike në drejtimin e tyre. Por menjëherë pas kësaj ngjarje te rende te shperthimit me eksploziv, Veliaj reagoi duke thënë se Dukën e kishte kundërshtar por jo armik dhe inkurajoi policinë që të zbardhte të gjithë ngjarjen së bashku me fajtorin e vërtetë.