Atentati në Vlorë, e kaluara e shënjestrës dhe mesazhi me tritol

0
688

Makina e Benard Sinomatajt u shpërthye me eksploziv rreth orës 18:30 të mbrëmjes së sotme në lagjen “Hajro Cakërri” të Vlorës. Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme, pranë vendit të shoferit, të makinës tip “Volkswagen Pasat” me targa AA 151 HJ.

Lënda plasëse ka shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale, pasi në momentin që shpërtheu makina ishte e parkuar poshtë pallatit dhe nuk kishte njeri brenda. Policia deklaron në njoftimin e parë zyrtar se automjeti ka shumë kohë i parkuar pasi pronari Benard Sinomataj prej kohësh ndodhet jashtë shtetit. Pritet verifikimi i pamjeve të kamerave të sigurisë lidhur me momentin kur është vendosur eksplozivi për të shkuar në gjurmët e autorëve.

Gazetari i “ABC”-së në Vlorë Elton Nikaj mëson se shënjestra e këtij atentati, Benard Sinomataj në 2015-tën ka qenë i arrestuar për armëmbajtje pa leje. 7 vite më parë në banesë iu gjetën armë dhe municione luftarake.

Tritoli në makinë dhe aq më tepër i vendosur në krahun e shoferit, duket se është një mesazh i qartë për vlonjatin që ishte larguar nga vendlindja dhe jetonte jashtë. Ende nuk ka asgjë konkrete dhe pistat në tryezën e hetuesve janë disa.

Nëse ishte mesazh, me çfarë mund të lidhet; borxhe, prishje pazaresh apo cili ka qenë paralajmërimi që autorët i kanë dërguar shënjestrës? Pyetet që presin përgjigje janë të shumta për të zbardhur ngjarjen.

Ky është atentati i dytë me eksploziv në Vlorë brenda një harku të shkurtër. Në 19 Dhjetor si pasojë e shpërthimit me eksploziv mbeti i plagosur rëndë Indrit Sadedini 33-vjeç, ndërsa ngjarja është ende pa autor.

Abcnews.al