Dyshohet se erdhi nga një zonë tjetër, policia nuk e ka identifikuar ende autorin e vrasjes së Jurgen Dukës

0
909

Përkundër pamjeve të publikuara ekskluzivisht nga Ora News, policia e Tiranës nuk ka mundur ende të identifikojë autorin e vrasjes së Jurgen Dukës, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një market në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.

Vështirësia në identifikim sipas burimeve të policisë lidhet me faktin se autori i vrasjes nuk është banor i asaj zone.

Mendohet se ai të jetë nga një zonë tjetër por ka ndaluar për të bërë blerje duke qenë se ai market qëndron 24 orë i hapur.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se autori pas ngjarjes është larguar me një automjet në drejtim të Kombinatit.

Policia përmes kamerave të sigurisë ka mundur të ndjekë lëvizjet e tij deri në një segment rrugor por më pas ka humbur gjurmët e tij.

Deri tani uniformat blu kanë shoqëruar disa persona që kanë dijeni mbi ngjarjen ndërtsa me interes pritet marrja në pyetje e shokut të 29-vjeçarit të vrarë, Jurgen Duka.