Grabisnin banka dhe supermarkete, arrestohen 7 anëtarët e një bande në Greqi, njëri prej tyre djali anëtarit të 17N

0
52

Policia greke ka arrestuar një shtetas si anëtar i një bande, i përfshirë në grabitje me armë të degëve të bankave, filialeve ELTA dhe supermarketeve.

Mediat greke njoftojnë se ky shtetas ka një marrëdhënie të ngushtë me një nga të dënuarit për pjesëmarrje në 17N.

Bëhet fjalë, sipas informacioneve, për djalin e Kostas Karatsolis, “Stelios” i organizatës terroriste 17N. 57-vjeçari Karatsolis është dënuar me 17 vite burg për pjesëmarrje në organizatë, për grabitje dhe shpërthim me bombë.

Ai u lirua nga burgu në vitin 2010.

Anëtarët e bandës u arrestuan gjatë një operacioni të madh policor të nëndrejtorisë së Sigurimit të Patrës, i cili nisi herët të mërkurën.

Sipas informacioneve gjashtë burra dhe një grua u arrestuan ndërsa dy persona të tjerë janë në kërkim.

Në kuadër të operacionit janë gjetur armë, lëndë plasëse , si dhe katër kultura kanabis hidroponik. Në fakt, informacionet bëjnë me dije se në njërën prej shtëpive të kontrolluara janë gjetur dy pistoleta, 180 gramë lëndë plasëse, si dhe detonatorë.

Të arrestuarit akuzohen për tre grabitje me armë në banka, tre në filialet ELTA dhe një në një supermarket në Patras. Sipas informacioneve, është informuar edhe Departamenti i Antiterrorizmit .

Sipas të njëjtave informacione, “placka” nga grabitjet kap vlerën e 19 mijë eurove. Ndër të tjera janë gjetur paruke dhe mjekra false të përdorura nga anëtarët e bandës, si dhe libra që ata lexonin lidhur me terrorizmin./abcnews.al/