Infeksionet nga Covid prekin kulmin e 2 viteve pandemi por masat kufizuese nuk ndryshojnë

0
121

Përkundër rasteve në rritje të infeksioneve, Komitetit Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshë masat kufizuese në fuqi.

Drejtuesja e Komitetit Rakacolli e lidhi vendimin me mosreflektimin e infektueshmërisë në shtrimet në spital.

Rakacolli: Një rritje e konsiderueshme e rastëve është vënë re, në grupmosha të reja deri te fëmijët por e pashoqëruar me të njëjtin ritëm me shtrimet në spital. Niveli i masave mbrojtëse që kemi sot për sot është në përputhje mer zhvillimet epidemiologjike. Nuk do të ketë ndryshime.

Në qarkullim janë dy variantet e koronavirusit, Delta dhe Omicron si dhe virusi i gripit

Tomini: Ka reflektuar një incidencë javore tepër e rritur. I atribuohet qarkullimit të varianteve Delta dhe Omicron por edhe reflektimit të grumbullimeve në festat e fundvitit. Aktualisht në vend qarkullon dhe virusi i gripit. Të treja po bëjnë një qarkullueshmëri dhe infektueshmëri në nivele të larta. Shtrimet në spital kanë një qëndrueshmëri. Këto ditë kanë reflektuar pikun më të lartë të pandemisë të hapur në vend në këto 2 vjet.

Bino: Kemi pasur shifra të larta të vaksinimit. Ka një rritje të atyre me dozë të parë. Është 42.4% e popullatës e vaksinuar me një dozë, me të dyja dozat 38%. Sfidë kemi vaksinimin e të rinjve, që vihet re më shumë në vendet europiane krahasuar me Shqipërinë. Në moshat mbi 60 vjeç kemi një mbulesë të lartë vaksinale.

Një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë raportoi për gjashtë viktima dhe 1905 raste të reja me Covid-19.

Kryeson Tirana me 823 raste të reja, e ndjekur nga Durrësi me 100, 77 në Elbasan dhe 74 në Vlorë.

Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 117 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar.