Kërkohet një President, PS jep “besën”, opozita pjesë e procesit: Çfarë po ndodh me negociatat

0
77

Kanë nisur sot takimet mes maxhorancës dhe grupeve parlamentare të opozitës për arritjen e një marrëveshjeje për emrin e Presidentit që do të zëvendësojë Ilir Metën pas korrikut, kur i mbaron mandate. Socialistët konfirmuan dje se nuk do të votonin një emër të tyrin të henën edhe pse do të jetë raundi i parë nga pesë raunde që Kushtetuta parashikon gjithsej për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ndërkohë, opozita është bërë pjesë e procesit duke shpresuar në sinqeritetin e maxhorancës se nuk do ta zgjedhë vetëm me votat e saj kreun e shtetit pas tre raundeve të para kur kërkohen vetëm 71 vota.

10:46 –Negociatat për kreun e shtetit, Mediu: Pa dakordësi me opozitën, nuk ka me mazhorancën

Ka përfunduar takimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me dy Grupet Parlamentare të opozitës në Kryesinë e Kuvendit.

Pas takimit me Ballën, Damian Gjiknurin dhe Elisa Spiropalin, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se duhet një proces i përbashkët opozitar për të përcaktuar kandidaturat që plotësojnë kushtet. Me aq sa po shoh procesin, tha Mediu, të hënën nuk besoj se do të ketë një kandidat.

“Duhet të kemi një proces të përbashkët opozitar për të përcaktuar kandidaturat që plotësojnë kushtet. Siç shoh procesin, nuk mendoj se do të ketë kandidat ditën e hënë. Është absurde që politika të përjashtojë politikën. Besoj që nuk mund ta ngushtojmë vetëm në një profil të caktuar, të jemi më të gjerë sa i përket kritereve. Qëndrimi ynë është që do të kemi një dakordësi të opozitës, pastaj me mazhorancën”, tha Mediu.

10:23 – Takimi me Ballën, Idrizi: Gjetëm vullnet të mirë, nuk do të kemi president të njëanshëm

“PDIU e ka gjithë vullnetin të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe të luajë rolin e saj.” Kështu është shprehur para gazetarëve kryetari i kësaj partie Shpëtim Idrizi i cili bashkë me Mesila Dodën u takuan mëngjesin e së premtes me kreun e Grupit Parlamentar socialist. Taulant Balla.

Idrizi theksoi se në situatën në të cilën gjendet politika shqiptare momentalisht, është e rëndësishme që kreu i ri i shtetit të zgjidhet në mënyrë konsensuale dhe që të mos jetë i njëanshëm. Kreu i PDIU tha se në këtë takim gjetën një vullnet të mirë dhe u duk i bindur që nuk do të zgjidhet një president i njëanshëm.

“Është një detyrim kushtetues, që në tre raundet e para duhet të jetë me konsensus. E theksuam këtë gjë. Nëse zgjidhet në mënyrë të njëanshme, shërben për të zgjidhur krizën. Presidenti duhet të jetë një person, thellësisht me eksperiencë politike. Një president që mbart edhe pjesën tjetër të konsensusit do ta luante shumë mirë këtë rol. Ne gjetëm një vullnet të mirë. Nuk do të kemi një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme. Ramë dakord, që kemi hyrë në një proces kushtetues….Duhet të fokusohemi në emra konkretë.”

Sa i përket emrave konkretë, Idrizi tha se ishte ende herët që në këtë takim të sotëm të listoheshin emra.

“Sot nuk janë propozuar emra. Palët duhet të bashkohen tek ai president mbi palët. PDIU e ka treguar që është gjithnjë e gatshme që të takohet më të gjithë. Kemi heshtur dhe nuk fusim duart në problemet e një partie si PD. Kjo parti si aset dhe e mirë politike, është e nevojshme  për të balancuar pluralizmin.”

Pas Idrizit, Taulant Balla do të takojë në kryesinë e Kuvendit edhe kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu.

08:14 – Negociatat për Presidentin, Balla takon sot Mediun dhe Dodën, por jo Alibeajn

Teksa na ndajnë vetëm tre ditë nga raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të shtetit, i cili do të pasojë në këtë detyrë Ilir Metën, sot do të vijojnë negociatat mes grupeve parlamentare.

Takimet do të zhvillohen të ndara. Në orën 09:00 nisi takimi mes Ballës dhe Mesila Dodës, ndërsa në orën 10:00 pritet që kreu i grupit parlamentar të PS-së të takohet me Fatmir Mediun.

Gazetarja e Abcnews.al, Erneta Shevroja mëson se Enkelejd Alibeaj edhe pse ndodhet në kryesi, nuk do të ketë një takim me Taulant Ballën. Ai  do të ketë një prononcim për mediet.

Sipas një platforme të prezantuar nga Enkelejd Alibeaj, kandidati për President duhet të jetë së pari antikomunist. PS e ka refuzuar këtë platformë.

Lexo edhe: Presidenti, nesër “përballet” maxhoranca me opozitën, të pathënat e procesit: Zbulohet nisma e PS

Ndërsa Mediu është shprehur se do të ishte mirë që opozita të dilte me një kandidat të përbashkët dhe të merrte pjesë në proces.

Sipas Mediut, nëse nuk dilet me një kandidaturë konsensuale, atëherë opozita duhet të mbajë një qëndrim.

Mësohet se socialistët nuk do të kenë një emër në raundin e parë, duke i lënë rrugë të hapur negociatave. /abcnews.al