Lamtumira e Roger Federer, bota falënderon Messi-n e tenisit

0
58

Në një ditë të trishtë për historinë e tenisit, Roger Federer lajmëroi lamtumirën, duke lënë te të gjithë të apasionuarit pas këtij sporti bindjen se kanë qenë me fat që e kanë ndjekur. Me fat që kanë mundur të komentojnë dhe admirojnë tenisin në epokën që Roger Federer shfaqi talentin e tij të jashtëzakonshëm.

Siç ka thënë dikur Andy Roddick, i cili ka qenë një ndër kundërshtarët e parë të zviceranit, duke humbur ndaj tij dy finale në Wimbledon: “Nëse ai që luan Roger është tenis, atëherë nuk e di se çfarë sporti luajmë ne të tjerët“

Shfaqja e mjeshtrit helvet ndryshoi përgjithmonë kursin e tenisit, por edhe perceptimin për këtë sport. Nuk ka ndodhur kurrë në asnjë konteskt, që një lojtar të bëhej një ikonë dhe një simbol për të apasionuarit e të gjithë botës, me një vlerësim unanim cka bënte që për të të bëhej tifo në çdo fushë të botës (ndoshta me përjashtim vetëm të Spanjës së rivalit dhe mikut të tij të madh Nadal).

Federer goditi menjëherë imagjinatën kolektive për madhështinë e stilit të tij, elegancën e gjesteve, personalitetin e veçante. Federer krijoi mundësinë për të parë dhe për të realizuar shkrirjen e tenisit aristokrat me forcën e modernitit, pa dalë jashtë një klasi që nuk njihte kufij.

Bagazhi i tij teknik, ishte kaq i plotë sa të mund të zgjidhte shkëmbimet nëpërmjet goditjeve më të komplikuara. Historia e tenisit është përshkuar nga fenomenë që kanë nxjerë në pah karakteristika teknike të paimitueshme, por asnjë nuk ka qenë i aftë si Federer të luajë në të njëjtat nivele të larta, pa mungesa në çdo zonë të fushës, si në vijën e fundit, apo pranë rrjetës, apo dhe cepi më i larget.

Një personazh që shkon përtej 20 fitoreve në Slam, dhe përtej 103 titujve të fituar në karrierë. Përballë lamtumirës së një gjigandi të përmasave të tilla, një simboli të gjithë sportit, nuk mbetet veçse për ta falënderuar. Për emocionet, për bukurinë që dhuroi dhe që ndriçoi syte e publikut të mahnitur nga talenti i tij.

© SYRI.net