Mbajti familjen mbyllur prej 6 vitesh dhe e dhunoi sistematikisht, pranga 52-vjeçarit me bindje radikale

0
63

Një 52-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës. Bëhet fjalë për shtetasin Xherxh (Gjergj) Laçi, i cili dyshohet se ka mbajtur familjen e mbyllur për më shumëse 6 vjet, ndërsa i dhunonte sistematikisht për shkak të bindjeve të tij radikale.

Ai jetonte me gruan dhe dy fëmijët e mitur, ndërsa këta të fundit nuk i lejonte të shkonin në shkollë. Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dy thika dhe një sasi e madhe fishekësh.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet nga Drejtoria e Antiterrorit dhe Komisariati i Policisë Nr. 4., në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, operacioni policor i koduar “Ngujimi”.

Mbante të ngujuar, për shkak të bindjeve radikale, bashkëshorten dhe fëmijet e mitur, prej më shumë se 6 vitesh, si dhe i dhunonte sistematikisht, vihet në pranga 52-vjeçari.

Sekuestrohen dy mjete prerëse thika dhe municion luftarak, të gjetura në banesën e 52-vjeçarit. Specialistët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4., bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ngujimi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  Xh. (Gj). Ll., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 52-vjeçari, prej më shumë se 6 vitesh, mbante të mbyllur duke i dhunuar sistematikisht dhe kërcënuar me armë të ftohta, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, të cilët nuk i lejonte të frekuentonin shkollën, për shkak të bindjeve të tij radikale.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dy mjete prerëse thika ndërsa gjatë kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krëhra automatiku.