Miliona persona evakuohen në Pakistan për shkak të përmbytjeve

0
50

Punëtorët e shpëtimit – të mbështetur nga helikopterë ushtarakë dhe anije – më 2 shtator vazhduan operacionet për evakuimin e miliona personave nga fshatrat e largëta në jug të Pakistanit, teksa rajoni po bëhet gati për vërshime të tjera, thanë zyrtarët.

Pothuajse 20.000 metër kubik ujë për sekondë tani po bie në pjesën veriore të shtetit dhe së shpejti shirat dhe vërshimet do të godasin qytetin e madh, Sind, tha Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Sind ishte goditur më së rëndi nga vërshimet që ndodhën në mesin e muajit qershor.

“Ne po tentojmë të arrijmë te njerëzit që gjenden në mes të ujit pa ushqim dhe strehim”, tha për Dpa-në, Rustam Jamali, punëtor i shpëtimit nga qyteti Sind.

Numri i viktimave nga vërshimet në Pakistan ka arritur në 1.208 dhe ky numër pritet të rritet, tha Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse dhe sëmundjeve të tjera në zonat e prekura nga vërshimet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se vërshimet kanë dëmtuar të paktën 888 ndërtesa shëndetësore, duke penguar përgjigjen e shtetit ndaj krizës shëndetësore të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore.

Qeveria pakistaneze tha se mbi 33 milionë persona – apo 15 për qind e popullsisë prej 220 milionë banorësh – janë prekur nga vërshimet që kanë shkatërruar shtëpi, biznese, infrastrukturë, rrugë dhe po ashtu kanë shkatërruar të mbjellat. Disa vlerësime thonë se një e treta e shtetit aktualisht është nën ujë.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për 160 milionë dollarë për të ndihmuar për “këtë fatkeqësi të paprecedent klimatike”. Ndërkaq, OBSH-ja ka thënë se mbi 6.4 milionë persona kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.