Miniera të pashfrytëzuara, Librazhdi e Përrenjasi lihen në harresë, banorët vuajnë mungesën e punës

0
53

Minierat në Librazhd dhe Përrenjasit që dikur ishin sektori më i rëndësishëm i punësimit për banorët e kësaj zone, sot janë kthyer në godina të rrënuara dhe pa asnjë perspektivë për t’u rihapur. Ish punonjësit e nxjerrjes së hekur-nikelit, thonë se rihapja e tyre do të zgjidhte problemin e punësimit dhe do frenonte emigracionin. Zona e Librazhdit dhe Përrenjasit llogariten si ndër më të rëndësishmet në Shqipëri sa i përket rezervave minerare.Dikur në Përrenjas funksiononin minierat për përpunimin e hekur-nikelit dhe ishin të punësuar rreth 1600 punëtorë.

Sot këto rezerva nuk po shfrytëzohen, dhe më shumë e vuajnë banorët e zonës.

Aktualisht këto rezerva ndodhen nën tokë dhe nuk po shfrytëzohen për shkak të mungesës së industrisë së përpunimit në vend.

Dikur prej andej nxirrej sasi e konsiderueshme e hekur nikelit, kurse sot çdo pajisje është zhdukur, thonë banorët dhe ish punonjësit e këtij sektori.

Godinat gjysmë të rrënuara sot janë kthyer në rrezik për banorët e zonës.

Nëse do të ishin funksionale, problemi i punësimit në zonë do të merrte zgjidhje.

Të gjendur para kësaj situate një pjesë e konsiderueshme e krahut të punës në këtë zone ka zgjedhur emigracionin si rrugëzgjidhje dhe rihapja e tyre mund të frenonte këtë fenomen.

Ora news