“Mori gaz vetë”, dëshmitarët nxjerrin blof policin që vrau 7-vjeçaren me skaf: Nuk kishte defekte, ai bënte manovra të rrezikshme

0
421

Detaje të reja kanë dalë nga tragjedia e ndodhur ditën e djeshme, ku një vajzë 7-vjeçare u godit për vdekje nga skafi që drejtohej nga polici Arjan Tase.

Ish drejtuesi i Komisariatit të Himarës, Arjan Tase ka raportuar se mjetin e fuqishëm lundrues me dy motorë e kishte marrë tek një person tjetër, megjithatë nuk është bërë e ditur se kujt i përkiste ky skaf, pse përdorej dhe si ishte siguruar.

Arjan Tase nuk dispononte asnjë patentë lundrimi për skafin me dy motorë, ndërsa ka deklaruar se mjeti lundrues kishte defekt dhe ka marrë gaz menjëherë. Por sipas asaj çfarë pushuesit kanë dëshmuar, Rase disa herë ka kryer manovra të rrezikshme në det dhe nuk dukej që mjeti kishte defekt.

Një pyetje tjetër që policia dhe hetuesit duhet të japin përgjigje është se kujt i përket ky mjet i fuqishëm dhe në çfarë rrethanash skafi ishte në duart e një polici i cili me rrogën mujore prej maksimumi 80 mijë lekësh, nuk e siguron dot. Një skaf i tillë i marrë me qira përafërsisht shkon 20-30 mijë lekë pa llogaritur konsumin e lartë të karburantit që ka.

1-Në pronësi të kujt ishte skafi që drejtonte polici Arjan Tase, me të cilin vrau fëmijën 7-vjeçar?

2-Nëse ishte në pronësinë e tij, a ka bërë policia një verifikim të mëparshëm pasuror në lidhje me këtë efektiv policie?

3-Nëse nuk ishte në pronësi të tij, kush ishte pronari i skafit dhe cili ishte raporti i policit në fjalë me pronarin e këtij mjeti lundrues? Sepse, sipas parimit “nuk ka drekë falas”, Tase i ka bërë një nder pronarit të skafit që meriton një sajdisje të tillë tani, kur edhe janë rritur ndjeshëm çmimet e karburanteve. A ka lidhje ky “nder” me periudhën kur ai drejtonte komisariatin e Himarës?

4-Pse një qytetar i thjeshtë duhet të kalojë përmes shumë filtrave për të hipur mbi skaf, kurse një efektiv policie mundet që ta drejtojë atë në mes të pushuesve, madje edhe pa patente?

5- Pse dhe si u riintegrua në radhët e Policisë së Shtetit nëse ishte përjashtuar më parë efektivi Arjan Tase? /abcnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu