Pediatria e re e Elbasanit, një tjetër hapësirë e rilindur e kantierit të Shëndetësisë

0
86

Spitali Pediatrik i Elbasanit është transformuar në një mjedis miqësor për vogëlushët, ku ata marrin shërbimin spitalor në kushte optimale.

Kjo, falë investimit të buxhetit të shtetit për rikonstruksionin e plotë të godinës 4-katëshe, ndërtim i para viteve 90-të, e cila është shndërruar,  jo vetëm nga pikëpamja infrastrukturore, por edhe organizative dhe funksionale e ambienteve të saj.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan, ku së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizituan spitalin e ri, i cili siguron shërbime shëndetësore për më shumë se 20 mijë fëmijë.

Ministrja Manastirliu tha se tashmë korpusi Spitalit të Elbasanit është një korpus tërësisht i kompletuar për nga pikëpamja e strukturës spitalore, por edha nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorëve.

“Pas një seri investimesh në spitalin e Elbasanit, investimi më i ri tashmë i përfunduar është Spitali Pediatrik, një angazhim i përmbushur tashmë që i siguron shërbime cilësore më shumë se 20 mijë fëmijëve që marrin shërbim çdo vit në këtë spital. Se si kanë qenë kushtet e Spitalit Pediatrik, atë e dinë fare mirë të gjithë mjekët dhe infermierët e këtij spitali, por për të thënë të vërtetën, tashmë korpusi i spitalit të Elbasanit është një korpus i mirëinvestuar nga pikëpamja e infrastrukturës spitalore, por edhe nga pikëpamja e teknologjisë, imazherisë dhe laboratorit që tashmë janë përfshirë në gjithë programin e zhvillimit spitalor.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.

Spitali Pediatrik i Elbasanit ka një kapacitet prej 75  shtretërish, 60 shtretër shtrimi për pacientët e vegjël,  të organizuar në shërbimet e terapisë ditore, reanimacionit, neuro – interiteve, bronkiteve, dhe shërbimit të pediatrisë infektive, si dhe 15 shtretër në shërbimin e urgjencës.

Të gjithë dhomat e pacientëve të vegjël duke filluar nga urgjenca, pavioni i terapisë ditore dhe pavijonet e tjera të shërbimeve pediatrike kanë ambiente miqësore për pacientët e vegjël.

“Besoj që tashmë janë të gjitha standardet dhe ajo çka është e rëndësishme është që përveç mobilimit spitalor, të gjitha aparaturat mjekësore janë të reja. Është një spital që ka 60 linja oksigjeni. Çfarë e karakterizon këtë spital si një model të ri që kemi filluar ta përfshijmë në spitalet pediatrike janë shërbimet miqësore për fëmijët. Hapësirat e përbashkëta janë rehabilituar. Kur e filluam në fillim këtë projekt, nuk e dinim a do sillej dot në kushtet dhe parametrat e duhura pasi që nga viti ’90 nuk ishte vënë dorë.” – shpjegoi Ministrja Manastirliu.

Duke folur për investimet në sektorin e Shëndetësisë, Manastirliu tha se pavarësisht pandemisë COVID-19, janë përmbyllur vepra të mëdha.

“Me programin e nënës dhe fëmijës, vetëm këtë vit ne i’a kemi dalë që, edhe pse një periudhë sfiduese, të kemi të përfunduara tre vepra të mëdha, QSUT, fazën e parë të Spitalit Pediatrik, Maternitetin e Beratit dhe ky është spitali i tretë që përfundojmë brenda këtij viti. Ndërkohë vijojmë investimet. Spitali i Kukësi përfundon në qershor-korrik. Ndërkohë jemi gati të përfundojmë spitalin e Kurbinit. Dhe Tirana që është Spitali i Sëmundjeve të Brendshme brenda këtij viti do të finalizohet”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se mjekët e rinj specialistë do të vendosen sipas nevojave në spitalet rajonale për të ofruar shërbim afër vendbanimit.

“Përfundojnë specializimin këtë vit 116 mjekë, të cilët do të shpërndahen sipas nevojave të vendit në spitalet rajonale. Ne do të fillojmë shtrirjen e specializimeve në spitalin e Durrësit, edhe në spitalin e Elbasanit, sikurse e kemi vendosur, por gjithashtu edhe në spitalin Memorial të Fierit, ku përgatitemi për të shtrirë specializimet. Sivjet hapim 100 kuota të reja në mjekësi edhe ky është një lajm i mirë. Sepse përgatitemi pikërisht për të përballuar kërkesat për të ardhmen për mjekë të përgjithshëm por edhe për mjekë specialistë. Ndërkohë që 50 kuota duam që t’ja japim për Universitetin e Durrësit dhe sigurisht pastaj për të kombinuar specializimet në spitalet rajonale sepse tashmë jemi gati”, tha Manastirliu.

Spitali i ri është gjithashtu një investim i shumëpritur për personelin e dedikuar shëndetësor të Spitalit pediatrik të Elbasanit që trajton në ditë mesatarisht 80 pacientë të vegjël në shërbimin e urgjencës dhe deri në 150 pacientë të vegjël në periudhat e pikut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu