Përdorni Lulet e Thata të Blirit për Ankthin, Tretjen dhe Imunitetin

0
55

Lulet e blirit që prej lashtësisë njiheshin si lulet ku fshihen rrezet e diellit.

Gjethet e kësaj peme lulëzojnë prej fillimit të pranverës e deri në vjeshtë. Rritet në pyje, shkurre dhe sidomos në zonat e dushkut dhe të ahut.

Në Shqipëri, aromën dehëse të blirit do ta ndjeni edhe në rrugët e qyteteve kryesisht në Peshkopi, Elbasan, Përmet apo Tiranë.

Kjo pemë kërkon toka të pasura dhe të thella. Rritet dhe e kultivuar pothuajse kudo.

Blirit i përdoren lulet së bashku me gjethet. Vjelja bëhet me dorë ose me gërshërë dhe duhet të të kihet parasysh të mos hiqen më shumë se 60-70 % e luleve.

Lulet mblidhen së bashku me gjethet në fillim të lulëzimit, gjatë kohës me diell sidomos gjatë muajit qershor.

Vlerat shëndetësore të lules së blirit përfshijnë aftësinë për të përmirësuar sistemin imunitar, ajo parandalon disa qeliza të dëmshme, qetëson organizmin, heq ankthet dhe ul tensionin e gjakut.

Çaji nga lulet e blirit është përdorur gjerësisht në mjekësinë tradicionale popullore të shumë vendeve në botë. Ky çaj ka një shije të veçantë dhe aromë dehëse.

AgroWeb.org ju tregon se çaji i blirit ka një nivel të lartë përbërësish të çmuar, flavonoidë dhe substanca të tjera që e bëjnë blirin si një bimë shumë të besueshme në treg.

Cilat janë vlerat e çajit të blirit?

Lufton ankthin

Një nga përdorimet më të gjera të çajit të lules së blirit është kundër ankthit.

Ky çaj ka aftësi qetësuese kundër stresit mendor.

Nëse vuani nga luhatjet e humorit ose stresi kronik, një filxhan me çaj bliri është zgjidhja më e zgjuar.

Neutralizon qelizat e dëmshme

Antioksidantët që gjenden tek bliri shërbejnë si luftëtarë kundër radikaleve të lira, duke i larguar ato dhe përmirësuar shëndetin tonë të përgjithshëm. E gjithë kjo parandalon sëmundjet kronike.

Pastron organizmin

Përbërësit dhe acidet që gjenden tek bliri çlirohen menjëherë në çaj duke nxitur djersitjen.

Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të larguar toksinat nga trupi. Së bashku me kripërat e tepërta, yndyrnat, ujin dhe substancat e huaja.

Këto cilësi e bëjnë blirin shumë të çmuar në rastet e sëmundjeve me temperaturë të lartë, pasi e ul atë.

Lufton të ftohtin dhe gripin

Përveç nxitjes së djersitjes dhe uljes së temperaturës, lulja e blirit jep një kontribut të veçantë në luftimin e simptomave të të ftohtit, gripin, inflamacionit në gojë dhe traktin respirator.

Çaji i lules së blirit të ndihmon edhe me kollën dhe fytin e trazuar, duke i dhënë fuqi sistemit imunitar.

Lufton dhimbjet

Ata që vuajnë nga dhimbjet e kokës, të shkaktuara nga tensioni dhe simptoma të tjera të inflamacionit duhet të konsumojnë çaj bliri dhe të eleminojnë dhimbjet nga artriti apo simptoma të tjera.

Siç largon problemet nga rrugët e frymëmarrjes, ashtu ul tensionin e gjakut duke parandaluar një sërë problemesh përfshirë dhimbjet e kokës.

Përmirëson tretjen

Nëse keni stomak të lënduar, fryrje apo shtrëngime, atëherë mos i kurseni vetes një filxhan me çaj bliri sepse do të ndiheni mirë menjëherë.

AgroWeb.org ju tregon se përbërësit biologjikë të lules së blirit do të shuajnë shqetësimet gastrointenstinale dhe nxisin një tretje më të mirë të ushqimit.

Kujdes: Doza maksimale e këtij çaji është tre filxhanë në ditë. Gratë shtatzëna nuk duhet të konsumojnë çaj bliri sepse përbërësit e lules mund të ndërveprojnë negativisht me barrën e tyre.

Si ta përgatisni çajin e blirit

3 lugë çaji me lule bliri të thata

1 flxhan çaji me ujë të zjerë të nxehtë

Një lugë çaji mjaltë

Hidhni lulet e blirit në filxhanin e çajit me ujë të nxehtë dhe lërini ashtu për 15 minuta. Më pas kullojeni çajin, hidheni në një filxhan të pastër dhe ëmbëlsojeni me pak mjaltë./AgroWeb.org