Që nga koha kur njerëzit kanë filluar të shqetësohen për të ardhmen, ata kanë kërkuar dikë që mund ta parashikojë atë. Mbretërit këshilloheshin me profetë para se të hynin në luftë, perandorët pyesnin astrologët për fatin e sundimit të tyre, ndërsa njerëzit e zakonshëm vizitonin parashikues duke shpresuar të shihnin çfarë i pret.
Praktika si parashikimi i fatit dhe i së ardhmes bëjnë zakonisht dy gjëra, thotë David Zeitlyn, profesor i antropologjisë sociale në Universitetin e Oksfordit. Së pari, ato i nxisin njerëzit të shohin përtej supozimeve të tyre të menjëhershme, duke i bërë të mendojnë për më shumë mundësi. Së dyti, ato mund të japin siguri në kohë pasigurie, duke u dhënë njerëzve guxim për të vepruar kur përndryshe do të hezitonin.
Gjatë shekujve dhe kulturave të ndryshme, disa parashikues u bënë të famshëm jo vetëm për profecitë e tyre, por edhe për ndikimin që këto patën në vendime politike, besime fetare dhe imagjinatën kulturore.
Pitia e Delfit: Orakulli i botës së lashtë
Në Greqinë e lashtë, askush nuk kishte më shumë autoritet si parashikues sesa Pitia, priftëresha e tempullit të Apolonit në Delfi. Për shekuj me radhë, njerëzit udhëtonin nga i gjithë Mesdheu për të kërkuar këshillën e saj. Pitia nuk ishte një person i vetëm, por një titull që mbahej nga gra të ndryshme për afro një mijë vjet, nga shekulli i tetë para Krishtit deri në fund të shekullit të katërt pas Krishtit. Gjatë ritualeve, ajo hynte në një gjendje të ngjashme me ekstazën dhe jepte profeci enigmatike që besohej se vinin nga vetë Apoloni, shpesh për luftëra, aleanca politike dhe fatin e qyteteve.
Megjithatë, ndikimi i madh i Delfit mund të ketë ardhur po aq nga pasuria dhe fama sa edhe nga frymëzimi hyjnor. Shenjtërorja fitoi prestigj falë mbështetjes së mbretërve, sidomos atyre të Lidisë, duke u bërë një nga qendrat fetare më të pasura në botën greke. Kjo pasuri e forconte autoritetin e saj: nëse një vend i shenjtë lulëzon, atëherë besohej se zoti është i fuqishëm dhe ndihmues.
Një nga profecitë më të famshme lidhet me Kroezin, mbretin e pasur të Lidisë. Ai pyeti nëse duhej të luftonte kundër Persisë. Orakulli i tha se nëse kalonte lumin Halys, një perandori e madhe do të rrëzohej. Kroezi mendoi se do të fitonte, por në fakt u shkatërrua vetë mbretëria e tij.
Sibilat: Gratë profetike të Romës së lashtë
Ndërsa Delfi dominonte në botën greke, romakët i drejtoheshin Sibilave, një grup profetesh mistike. Ato besohej se flisnin të vërteta hyjnore në gjendje ekstaze, dhe profecitë e tyre u mblodhën në Librat Sibiline.
Sipas traditës romake, këto tekste konsultoheshin kur ndodhnin shenja të pazakonta ose kur shteti përballej me rrezik. Gjatë epidemive, humbjeve në luftë apo fenomeneve të çuditshme natyrore, priftërinjtë kërkonin udhëzime në këto vargje për të rikthyer ekuilibrin me perënditë. Në këtë mënyrë, profecia shërbente më shumë si udhëzim sesa si parashikim i drejtpërdrejtë i së ardhmes.
Nostradamusi: Profeti i Rilindjes
Ndoshta asnjë parashikues nuk është më i famshëm se mjeku dhe astrologu francez Michel de Nostredame, i njohur si Nostradamus. Në vitin 1555, ai botoi “Profecitë”, një përmbledhje me rreth 1000 vargje të shkurtra që pretendonte se përshkruanin ngjarje të së ardhmes. Të shkruara në gjuhë simbolike dhe shpesh të paqartë, këto vargje kanë lejuar shumë interpretime ndër shekuj.
Një prej tyre lidhet shpesh me vdekjen e mbretit Henri II të Francës. Nostradamusi shkroi për një “luan të ri” që do të mundte një më të vjetër, duke e goditur në sy gjatë një dueli. Në vitin 1559, Henri II u plagos për vdekje gjatë një turneu kalorësish kur një heshtë iu ngul në sy.
Profeci të tjera janë lidhur me figura si Napoleoni, i përshkruar si një udhëheqës i lindur pranë Italisë, apo me një figurë të quajtur “Hister”, që disa e lidhin me Adolf Hitlerin.
Shkrimet e Nostradamusit janë lidhur gjithashtu me ngjarje të mëdha si Zjarri i Madh i Londrës në 1666-ën, luftërat botërore, sulmet e 11 shtatorit dhe madje pandemia COVID-19. Sipas tij, bota do të marrë fund në vitin 3797.
Astrologët e oborreve mbretërore
Në Europën e hershme moderne, profecia shpesh merrte formën e astrologjisë. Astrologët studionin lëvizjet e planetëve për të këshilluar mbretërit për vendime politike, martesa dhe luftëra. Luca Gaurico u bë i njohur për parashikimet e tij mbi figura të fuqishme, ndërsa Cosimo Ruggeri shërbeu në oborrin e Katerina de’ Medicti.
Ruggeri thuhet se parashikoi se tre nga djemtë e saj do të bëheshin mbretër, dhe më pas Franci II, Karli IX dhe Henri III sunduan njëri pas tjetrit në Francë.
Qëllimi politik i profecive
Profecitë shpesh i rrisnin ndikimin parashikuesve, por shërbenin edhe për një qëllim tjetër: ato u jepnin sundimtarëve një justifikim për vendime të vështira.
Ato mund t’u jepnin udhëheqësve një mënyrë për t’ia kaluar përgjegjësinë dikujt tjetër. Nëse vendimi dilte keq, faji mund t’i hidhej parashikuesit. Nëse dilte mirë, rritej autoriteti i tij.
Gjatë mijëra viteve, parashikuesit kanë qëndruar mes besimit dhe skepticizmit. Edhe pse shpesh të paqartë, ndikimi i tyre në historinë njerëzore dhe në kuriozitetin tonë për të ardhmen mbetet i padiskutueshëm.
© SYRI.net


