Sondazhi/ Sa përqind e shqiptarëve kanë mundur të përballojnë financiarisht pushimet këtë verë

0
119

Është pothuajse fund gushti dhe rrugët e kryeqytetit kanë nisur të mbushen sërish.

Po lemë pas një sezon të suksesshëm turistik për vendin, por sa të kënaqur janë shqiptarët me pushimet e tyre këtë verë?

Në fakt, ashtu siç historia e tranzicionit ka përfshirë çdo fushë të jetës shqiptare, padiskutim që ky tranzicion prej dekadash ka tjetërsuar edhe konceptin e pushimeve dhe relaksit, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për shifrat.

Top Channel ka zhvilluar një sondazh në faqen web, ku qytetarët janë pyetur nëse e kanë pasur të mundur që t’i përballojnë pushimet e verës financiarisht.

E në fakt, rezultati ka qenë shumë pranë barometrit të fundit të Ballkanit, ku Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), sipas statistikave doli në përfundimin se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

E njëjta gjë ndodhi edhe në sondazhin e Top Channel, ku 63% e ndjekësve janë shprehur se nuk e kanë pasur të mundur t’i përballojnë financiarisht pushimet, e ndërsa vetëm 24% e tyre ja kanë dalë të shijojnë disa ditë relaksi.

13% i mbetur, kanë deklaruar se e kanë pasur mundësi të përballojnë pushime vetëm fundjavave.

Megjithëse të huajt e ardhur në vendin tonë për të kaluar pushimet kanë mbetur të kënaqur nga çmimet dhe bukuritë e vendit, nuk mund të themi të njëjtën gjë për vendasit, të cilët në krahasim me pagat që marrin, nuk e kanë të lehtë të përballojnë çmimet.

Por edhe ajo pjesë e shqiptarëve që i përballojnë financiarisht pushimet, një përqindje e konsiderueshme zgjedhin t’i kalojnë ato jashtë vendit. Turqia vazhdon të mbetet e para në listën e preferencave dhe kjo për shkak të ofertës turistike.

Pavarësisht buxhetit që ka individi apo familja, duhet patjetër një shkëputje nga rutina, pasi të bërit pushime nuk ka të bëjë me konceptin subjektiv të lumturisë, por me çlirimin e ndjesive negative të akumuluara përgjatë një periudhe stresuese pune, dhe këtë e thonë edhe vetë ekspertët.

E.Kola/TCh