Sot festa e Ujit të Bekuar, 7 të rinj hidhen në Osum, ja momenti kur i riu kap kryqin në ujërat e ftohta

0
94

Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. 6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, ose e njohur në popull si dita e Ujit të Bekuar, për besimtarët beratas është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës, nëpërmjet të cilës ata përkujtojnë pagëzimin e zotit të tyre, Jezu Krishtit, në ujërat e lumit Jordan, duke e pasqyruar këtë pagëzim të shenjtë çdo vit në ujërat e lumit Osum.

Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, At Johan Qako, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës, i’u drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.

7 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit, u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit. Kryqi u kap nga 22-vjeçari Vasil Tapija, banues në lagjen “Goriricë” në Berat.

Si çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 150 mijë lekë (të vjetra). Më pas ai shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. I riu Vasil Tapija shprehet se është viti i katërt që hidhet në lum për kryqin dhe hera e parë që e kap. Ai shprehet se ndihet i lumtur dhe uron të gjithë besimtarët në këtë ditë të bekuar.

 

 

Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë. Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin dhe pihet sa herë kur ata janë të sëmurë.

(BalkanWeb)