Tmerrohen turistet te “Myslym Shyri”, 16 vjeçari dhe shoku i tij u marrin telefonat nën kërcënimin e thikës

0
46

Dy turiste të huaja kanë parë tmerr mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pasi në rrugën “Islam Alla” janë grabitur nën kërcënimin e thikës. Policia e Tiranës ka identifikuar autorët dhe ka shoqëruar njërin prej tyre, një 16 vjeçar, ndërsa është shpallur në kërkim tjetri, një 18 vjeçar.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, i kanë marrë celularët dy shtetaseve të huaja, duke i kanosur me mjet prerës (thikë), dhe më pas janë larguar me automjet.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas njoftimit të marrë për një vjedhje me dhunë, në rrugën “Islam Alla”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. 

Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar, procedimi në gjendje të lirë i njërit prej tyre, shtetas 16 vjeç, banues në Tiranë, dhe shpallja në kërkim e tjetrit, shtetasit E. L., 18 vjeç”, njofton Policia e Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate celulare dhe 1 automjet. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Celularet e sekuestruar nga Policia e Tiranes