Tre djem dhe një vajzë brenda dhomës së hotelit në autostradë, shkrepet pistoleta ndaj 20-vjeçarit

0
641

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës.

Në dhomë po qëndronin tre djem dhe një vajzë kur njëri prej tyre ka qëlluar shokun.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”.

I plagosur ka mbetur 20-vjeçari Arni Sulejmani.

Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari Markeljan Beqiri, banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në kërkim është shpallur edhe shtetasi Tefik Shehu, 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë Anxhela Brisku, 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.

Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit.

Gjithashtu ka rënë në pranga dhe Enver Hysenaj, 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar Anxhela Briskun, ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu