Një episod i rrallë dhe shumë i komentuar ka ndodhur në një ndeshje të ligës së tretë në Turqi, ku përballja mes Bursasporit dhe Mardin 1969 u la në hije nga një incident që përfshiu gjyqtaren anësore.
Gjatë një dueli pranë vijës anësore, lojtari i Mardin 1969, Mehmet Manis, në përpjekje për të fituar topin, rrëzoi pa dashje gjyqtaren Esra Arikboga. Zona ku ndodhi aksioni ishte e mbuluar me baltë, çka e bëri edhe më të vështirë situatën për arbitren, e cila u rrëzua në tokë dhe qëndroi për disa sekonda pa u ngritur.
Arikboga, e cila është e licencuar nga FIFA për të gjykuar në nivele ndërkombëtare, u ngrit më pas dhe i hodhi një vështrim lojtarit, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte reagimi i këtij të fundit. Manis e injoroi plotësisht situatën, duke u kthyer menjëherë në fushë pa ndaluar për të kërkuar falje apo për të parë gjendjen e saj.
Ky moment u bë shpejt viral në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kritikuan ashpër sjelljen e futbollistit, duke e konsideruar mungesë respekti ndaj gjyqtares. Pavarësisht se incidenti duket të ketë qenë i pavullnetshëm, reagimi i lojtarit pas ngjarjes ka ndezur debat të gjerë mbi etikën dhe sjelljen në fushën e lojës.


