Ervin Kaftira, një 45 vjeçar nga Tirana, është arrestuar nga agjentët e antidrogës me një sasi të madhe kokainë me vete dhe dy armë zjarri. Ky shtetas, bëhet me dije se kishte me vete 1 kg e 39.4 gramë kokainë dhe e shiste në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Cargo 1”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Ervin Kaftira, 45 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në një parkim, në afërsi të Rrethrrotullimit të Tegut, shtetasin Ervin Kaftira, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në sasi, në zona të ndryshme të Tiranës.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive. Lënda narkotike, së bashku me 1 motomjet, 1 aparat celular, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


