1 në 5 persona jetojnë me rreth 22 mijë lekë në muaj

0
5

Sipas rezultateve të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) për vitin 2023, të publikuara nga “Instituti i Statistikave” (INSTAT), e cila vlerëson kushtet socio-ekonomike të familjeve shqiptare, përfshirë varfërinë relative, shpërndarjen e të ardhurave dhe privimin material e social ka rezultuar një përmirësim i lehtë i këtyre treguesve.

Sipas të dhënave të vitit 2023, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri është vlerësuar 19.7%, duke shënuar një rënie prej 0.9 pikë përqindjeje, krahasuar me një vit më parë. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një individ u rrit në 270.565 lekë në vitin 2023, nga 225.931 lekë që ishte vitin e kaluar. Ndërsa numri i individëve nën këtë kufi u vlerësua në rreth 545,400, një ulje prej 5.4% krahasuar me vitin 2022, kur ky tregues ishte 576,316 individë. Pra, mund të themi se 1 në 5 persona në vitin 2023 jetonin me rreth 22 mijë lekë në muaj.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i studimit ishte analiza e privimit material dhe social, e cila mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategori bazike të jetesës. Për vitin 2023, ky tregues ishte 34.8%, duke treguar një përmirësim krahasuar me 37% në vitin 2022. Për individët e grupmoshës 18-64 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët punësimi, përqindja ra nga 10.4% në vitin 2022 në 9.3% në vitin 2023, një tjetër sinjal pozitiv i përmirësimit ekonomik. Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim. Në vitin 2023, ky tregues ra në 42.1% nga 44.5% që ishte një vit më parë.

Transfertat sociale, veçanërisht pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, luajnë një rol kyç në uljen e rrezikut për varfëri. Nëse përjashtohen të gjitha përfitimet sociale nga të ardhurat familjare të disponueshme, rreziku për të qenë i varfër do të arrinte në 36.4%. Nëse përfshihen vetëm pensionet, ky tregues zbret në 23.3%, duke dëshmuar rëndësinë e këtyre përfitimeve në garantimin e një niveli minimal jetese për familjet shqiptare.

Rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) për vitin 2023 tregojnë se Shqipëria ka bërë progres në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe uljen e varfërisë, megjithëse sfidat për mbështetjen e grupeve më vulnerabël dhe përmirësimin e mëtejshëm të politikave sociale mbeten sfiduese për të arritur një standart optimal jetese për familjet shqiptare.