104 vite pa ujë! Varfaj dhe Paleohori, fshatrat e harruar të malit të Sopotit, banorët tregojnë sfidat: Kemi pirë nga përrenjtë

0
57

Fshatrat e vendosur në faqen e malit të Sopotit  janë mes zonave më të harruara të bashkisë së Delvinës.

Historikisht në Varfaj një fshat me 80 banorë gratë dhe vajzat kanë bartur ujë nga distanca të largëta duke përshkuar pyllin dhe faqen e malit deri në burimin e Ongos në këmbë. Agimi sot 70 vjeç tregon se fshati Varfaj dhe Paleohori që është tashmë i braktisur po bëjnë plot 104 vjet pa ujë që prej momentit të krijimit të tyre.

“Të gjitha gratë e këtij fshati e kanë marrë ujin me krahë nga Okna e deri këtu me bucelë. Si këtu dhe në fshat unë do të them një të vërtetë që mamaja ime ka ardhur në vitin 1933 këtu, nga Çamëria, nga Paramithia dhe tek ky vend këtu nuk ka pirë asnjë ditë ujë të rrjedhshëm apo çesme. Kemi pirë ujë përrenjsh, rrëkesh sepse në ato kishim edhe dimra të mëdhenj, mbusheshin përrenjtë e kështu jemi rritur”, tregon një banor, Agim Canaj.

Fshati Varfaj i mbështetur në faqen e malit është i rrethuar nga stane bagëtish. Blegtorët mbarështojnë rreth 2000 krerë të imëta që bashkë me bimët medicinale janë e ardhura e vetme për zonën. Në ndryshim nga shumë krahina të thella në Varfaj 70% e popullsisë është prezente por jeta është çdo ditë e më vështirë. Aktualisht furnizimi me ujë ndodh 30 minuta çdo 4 ditë dhe së shpejti me rritjen e thatësirës fshati do të marrë ujë një herë në 10-11 ditë. Ende në Varfaj uji transportohet nga shumë larg me makina dhe kafshë dore.

” Me thatësirën e madhe që ndodh duke filluar që tani njerëzit marrin ujë një herë në 3-4 ditë, marrin 7, 8 deri në 10 kv ujë. Me thatësirën më të madhe do të shkojë në 5 ditë, në 6 ditë në 8 ditë e deri në 10 e 11 ditë, aq do të marrin ujë familjet një herë në 11 ditë. Njerëzit marrin ujë me kafshë marrin me makinë sipas mundësive të tyre, sepse mundësitë janë shumë të pakta”, tha Reshat Ademi, kryetar i fshatit.

Sa vite ke që jeton në këtë fshat? 

Ervehe Ademi: Unë këtu kam lindur, jam rritur, jam martuar, kam rritur edhe fëmijët e mi këtu.

Gjatë gjithë kohës keni qenë pa ujë? 

Ervehe Ademi: Gjithë kohës. Më parë me kafshë e mbartnim ta i kemi krijuar mundësi të tjera duke blerë depozita, me makinë. Mund të shkojmë edhe dy herë në ditë për ujë. Burimi është një orë larg dhe i gjithë fshati bën të njëjtën gjë.”

“Nuk gjej llaf ta them. Unë kam një makinë, kam dhe nja dy kafshë. Djali çdo ditë këtë punë bën se jemi vet i gjashtë në shtëpi. Merr gjysmë kuintali me makinë edhe me kafshë sepse unë kam bagëti kam goxha kope. Çtë të them uji vetëm uji është problem. Po s’ke ujë s’ke jetë. Kam 350 kokë dhi që vështirësohen edhe ato se shpirt kanë”, tha Muhamet Meto, po ashtu banor.

Thatësia arrin nivele të tilla sa banorët detyrohen të përdorin për nevojat bazike ujin e përrenjve dhe pellgjeve. Deri sa të nisë periudha e reshjeve fshati do të vijojë të mbartë ujë çdo ditë jo vetëm për njerëzit por edhe për bagëtitë. Historikisht bartja e ujit në Varfaj i shpenzon çdo familjeje rreth 3-4 orë çdo ditë.

Investimi i fundit që mbahet mend në fshat është ai i 20 viteve më parë ku një fondacion hollandez finacoi ndërtimin e një depoje dhe rrejtin shpërndarës. Fshati që nuk pranon të shpërngulet  u krijuar dekada më parë nga çamët e dëbuar nga territoret e tyre dhe banorë të malësive të Jugut. Banorët e fshatit Varfaj një nga zonat më të izoluara në Jug kanë vetëm një kërkesë bazike. Pas 104 vitesh pritje ata duan të kenë ujë.

 

Top Channel