12 vite pa Sokol Olldashin/ Misteri i aksidentit tragjik, katandisja e PD dhe heshtja e vazhdueshme e Berishës

0
2

Sot 12 vite pas Sokol Olldashin..

Ishte thuajse një mot i ngjashëm me sot. Binte shi dhe rruga ishte e rrëshqitshme. Sokol Olldashi po kthehej nga Elbasani, por në të hyrë të Tiranës makina e tij përfundoi jashtë rruge dhe ish-ministri, ish-deputeti dhe kandidati për kreun e PD u nda nga jeta.

Sot bëhen 12 vite pa politikanin, poetin dhe gazetarin Olldashi, i cili ka qenë frymëzim për shumë prej nesh gazetarëve dhe për brezin e ri të politikanëve. Ai u shua në një aksident tragjik, aksident që mbart shumë mistere dhe pikëpyetje brenda.

Ka zëra që thonë se e eliminuan, ka të tjerë se thonë se ishte thjesht një aksident. Vetë familjarët e kanë kujtuar gjithmonë me trishtim këtë datë dhe madje vetë ata janë të paqartë se pse vdiq Sokol Olldashi. Për këdo që e mban mend 20 nëntorin e vitit 2013, pati shumë kakofoni informacioni, të dhënat ndryshonin herë pas here. Edhe mbi autopsinë po ashtu pati shumë dyshime dhe dilema.

12 vite pa Sokol Olldashin/ Misteri i aksidentit tragjik, katandisja e PD dhe

Vetë Sokol Olldashi nuk e kishte në atë kohë mbështetjen e Sali Berishës, i cili kishte dhënë dorëheqjen si kreu i PD-së dhe emri që donte të vazhdonte drejtimin e partisë ishte Lulëzim Basha.

Sot janë të paktë ata në PD që e kanë kujtuar. Flamur Noka shkroi disa rreshta për të: “Sa herë kujtimet më ngecin, nis e të përfytyroj pikërisht kështu, me këtë qëndrim imponues në foltoren e Kuvendit. Po ua përmbledh mirë kundërshtarëve politikë dhe sado që fjalët i ke si shtiza, ata të dëgjojnë deri në fund, pa të ndërprerë. Të peshonte fjala e të kishte lezet shpotia.  Sot 12 vjet pa ty. Shumë mall e kujtime plot.  Sokol Olldashi la pas më shumë seç jetoi. La një emër të madh. I përjetshëm emri dhe kujtimi i tij”.

Po ashtu kanë shkruar Xhelal Mziu, Leonard Olli apo Luan Baçi. Mirëpo ashtu si çdo përvjetor, mungoi reagimi i Sali Berishës. Ky i fundit ka shumë kohë që nuk e zë në gojë Olldashin.

Por nëse Olldashi do të ishte gjallë, a do të kishim sot këtë situatë në PD? Partia më e madhe opozitare është katandisur mos më keq. Berisha e ka kthyer selinë në një vegël për betejën e tij me drejtësinë. Po ashtu PD po pëson disfatë nga njëra në tjetrën dhe askush nuk e ngre zërin. Por nëse sot Olldashi do ishte gjallë, me shumë mundësi do ishte i pari që do ngrinte zërin.

Ata që e njohin nga afër, thonë se Olldashi ishte shumë vizionar dhe nëse do ishte ai kryer, PD sot mund të ishte në pushtet. Megjithatë këtë nuk e dimë, ëndrra e tij u pre në mes, nga një aksident tragjik (ndoshta dhe vrasje). /Pamfleti