Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 19 vite burg për biznesmenin Gentian Malindi, i cili u arrestua më 27 tetor të këtij viti, i akuzuar si porositësi i 137 kg kokainë që vinin nga porti i Greqisë drejt atij të Durrësit. Por me gjykim të shkurtuar Malindi, përfiton 1/3 ulje të dënimit, që shkon në 12.8 vite burg.
Kujtojmë se rreth 137 kilogram kokainë, drogë e klasit të parë dhe një nga më të kushtueshmet në treg, ishte fshehur në katër konteinerë të mbushur me banane që vinin nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Porositësit e drogës, të pikasur nga DEA amerikane, kishin shfrytëzuar itinerarin e importit të frutave ekzotike për të transportuar brenda konteinerëve edhe “dërgesën” e tyre.
Me autorizimin e DEA-s amerikane, kur konteinerët mbërritën në portin e Pireut në Greqi u krye edhe zëvendësimi i kokainës me oriz. Kështu autoritetet ishin një hap para trafikantëve. Në Shqipëri diçka mesa duket nuk shkoi siç duhej, dhe personi i dyshuar si porositësi, Gentian Malindi, arriti të arratisej pasi hapi një prej pakove dhe pa se aty nuk kishte kokainë por oriz.
Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij para oficerëve të çështjes, Ardian Bega, oficer sigurie në portin e Durrësit, pohoi se ishte kontaktuar nga Gentian Malindi që të merrte diçka në konteinerët me banane, brenda të cilave kishte 137 kg kokainë. Po sipas Begës, pasi Malindi kishte pikasur se ishte në vëzhgim nga Policia, e kishte hedhur drogën nga makina në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Gentian Malindi ka qenë edhe më herët i arrestuar dhe proceduar për trafikim të lëndëve narkotike. Ai është arrestuar më parë dhe për një sasi prej 500 kilogramë hashash, që ishin transportuar nga Lazarati në drejtim të Durrësit. Malindi ka në pronësi të tij një anije peshkimi në qytetin e Durrësit. Më herët ai është bërë pjesë e mediave, me një denoncim të tij në drejtim të policisë. Biznesmeni durrsak pretendonte se kontrollet e shpeshta të bëra nga ana e Policisë po dëmtonin rëndë biznesin e tij.