“14 maji” Gjiknuri: 40 bashki i kemi të sigurta! Nuk do fitojmë me banda, por me vota

0
122

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri deklaron se kandidatët socialistë do të fitojnë përmes votave dhe jo bandave në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit 2023.

Ndërsa referoi ngjarjet në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Gjiknuri pranoi se ka pasur një konflikt politik, por mohoi se bandat drejtojnë politikën.

I pyetur mbi kandidatin që PS do të vendosë përballë kanidaturës së Luçiano Boçit për bashkinë e Elbasanit, Gjiknuri tha se nëse kryebashkiaku aktual, Gledian Llatja do të rikandidonte sërish, do të fitonte sepse përfaqësonte një frymë të re.

Ai tha se opozita kishte krijuar pritshmëri që nuk lidhej me realitetin dhe se Elbasani do të fitohej sërish nga socialistët në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

“Unë kam bërë konsultimet e nevojshme,. Llatja ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka pëlqyeshmëri nga qytetarët dhe sondazhet e kanë treguar këtë gjë.

Përtej fryrjes së garës së Elbasanit dhe Durrësit, mendoj se më shumë është një pritshmëri e ngritur brenda tyre sesa lidhet me realitetin. Mendoj se Elbasanin do e fitojmë sepse Llatja gëzon respekt dhe përfaqëson një gjë të re, ndërsa Boçi ka mbi 20 vite në politikë dhe në Elbasan ka humbur zgjedhjet e vitit 2007 kur PD ishte në qeveri. Mua më pëlqejnë garat e forta. Më shumë se politika e luftës së Tiranës, qytetarëve të Elbasanit u intereson qeverisja e qytetit jo bunkerizimi nga PD”-shtoi Gjiknuri.

Gjiknuri tha se priste që partia Socialiste të fitonte jo më pak se 40 bashki në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai tha se nuk përjashtohej mundësia që të fitonte edhe më shumë bashki, pasi alternativa përballë PS nuk ngjallte besim tek qytetarët.

“Nuk zbresim nën 40 bashki, kjo nuk diskutohet. Shifra mund të jetë edhe më e lartë por varet nga dinamika dhe organizimi ynë. Duke parë qeverisjen dhe trashëgiminë lektorale dhe alternativën përballë dalim natyrshëm në këtë përfundim. Edhe ju edhe pse nuk doni ta pranoni këto janë llogaritë elektorale kur nuk ke asnjë alternativë tjetër përballë. Alternativa e besueshme mund të kthente kahje, por këtu kemi të njëjtët njerëz që nuk kanë asnjë bagazh pozitiv të qeverisjes së tyre”-tha Gjiknuri.