14 maji/ Prokurori i Përgjithshëm ngre strukturën e përkohshme, nxjerr qarkoren për marrjen e masave

0
79

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka ngritur strukturën e përkohshme për zgjedhjet vendore të 14 majit dhe ka nxjerr qarkoren për marrjen e masave në çdo prokurori. Ai kërkon gatishmëri për hetimin e krimeve zgjedhore duke nisur nga 14 prilli që nis zyrtarisht fushata.

Permes nje qarkoreje, kryeprokurori Olsian Çela kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve, të marrin masa për organizimin dhe funksionimin e gatishmërisë së filluar me datë 14 prill, që sipas ligjit fillon fushata zgjedhore e deri me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Çela ka kërkuar që prokurorët të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor.

Për këto grupvepra penale kryeprokurori ka kërkuar rritjen e intensitetit të hetimeve proaktive dhe ashpërsimin masave të sigurisë apo dënimeve që do të kërkohen për veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë më të përhapura dhe me tendencë në rritje në shkallë vendi apo territorin ku ushtron funksionin një prokurori.

Për zbatimin e masave administrative dhe proceduriale për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2023 Çela ka caktuar 3 vartës të tij, të cilët duhet të bashkëpunojnë ngushtë me drejtuesit e prokurorive.