14 mijë afganë ”mollë sherri” mes Gjermanisë dhe SHBA-së, BILD: Duam t’i çojmë në vende të treta si Shqipëria, ata nuk pranojnë

0
181

Refugjatët afganë janë kthyer në një përplasje të re mes Gjermanisë dhe SHBA-së.

Sipas gazetës BILD, SHBA ka sjellë në bazën Ramstein të Gjermanisë më shumë se 34 mijë afganë. Mbi 20 mijë janë larguar drejt SHBA, por 14 mijë kanë mbetur akoma në Gjermani.

Këta të fundit kanë nisur të aplikojnë për azil në Gjermani, dhe një pjesë e tyre nuk duan të largohen më nga vendi, në përpjekjet e tyre për të nisur një jetë të re, larg luftës.

Ky lajm ka zemëruar autoritetet gjermane, pasi pakti ishte se të gjithë afganët do largohen drejt SHBA, dhe nuk do të qëndrojnë në territorin e tyre.

Gazeta gjermane raporton se arsyeja se përse ka një shpërthim të papritur aplikimesh për azil në Gjermani lidhet me faktin se këta afganë nuk lejohen të futen në SHBA.

Gazeta thekson më tej se SHBA po planifikon t’i dërgojë këta afganë në vende të treta si Shqipëria dhe Uganda. Por ata refuzojnë një gjë të tillë, duke kërkuar strehim në Gjermani.

“Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të lëvizin disa prej tyre në vende të treta si Shqipëria dhe Uganda. Sipas informacioneve të BILD, disa nga të prekurit refuzojnë ta bëjnë këtë, kjo është arsyeja pse ata tani po përpiqen të gjejnë strehë të përhershme në Gjermani”, thuhet në lajmin e medias gjermane.

Lidhur me këtë çështje pritet që të ketë një diskutim ndërmjet sekretarit të shtetit Antony Blinken dhe ministrit të jashtëm gjerman Heiko Maas, gjatë vuizitës që zyrtari amerikan do të zhvillojë këtë javë në Gjermani.

Shteti gjerman nën drejtimin e Merkel ka shprehur rezerva mbi tërheqjen ushatarake nga Afganistani, dhe ndryshe nga SHBA ka pranuar mundësinë që mund të ketë negociata dhe diskutime me qeverinë e re të talebanëve që u formua zyrtarisht dje.

(Burimi: Bild- E.K/Faxweb.al)