Pesëmbëdhjetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm në mauzoleumin Shah Cheragh në qytetin iranian Shiraz, ka njoftuar agjencia e shtetërore e lajmeve iraniane Irna.
Sipas raportimeve, tre sulmues kanë hapur zjarr ndaj pelegrinëve dhe stafit në hyrje të këtij tempulli të myslimanëve shiitë, dhe policia ka arrestuar dy persona.
Ndërkaq, shefi lokal i gjyqësorit tha se “vetëm një terrorist” ishte përfshirë në sulm.
Grupi militant, Shteti Islamik, ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Media shtetërore pretendoi se “terroristët takfirë” – një term i përdorur nga Teherani për militantët myslimanë sunitë, sikurse anëtarët e IS-it – ishin përgjegjës.
Irani raportoi se dy fëmijë dhe një grua ishin në mesin e të vrarëve.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, u zotua për përgjigje të shpejtë dhe të vendosur ndaj sulmit.
“Ky krim nuk do të kalojë pa u ndëshkuar dhe forcat e sigurisë do t’iu përgjigjen atyre që kanë planifikuar dhe kryer sulmin”, tha Raisi.
Në mauzoleumin ku u krye sulmi gjenden varret e dy prej shtatë djemve të imamit shiit, Musa al-Kadhim, dhe po ashtu të djemve të imamit Ali a-Rida.
Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se sulmet që kanë për cak ndërtesat fetare “janë veçanërisht të tmerrshme”.
Në prill, dy klerikë shiitë u vranë në një sulm me thikë në një tempull shiit në qytetin Mashhad në verilindje të Iranit.
Sulmuesi, që sipas zyrtarëve ishte një burrë me prejardhje uzbeke nga Afganistani dhe që kishte pikëpamje radikale sunite, u dënua me varje në qershor.
Motivi për sulmin nuk u bë publik, por Ministria e Brendshme atëbotë tha se sulmi ishte “sulm terrorist” dhe fajësoi “takfirët” për të.
IS-i ka kryer sulme të mëdha më herët në Iran. Më 2017, ky grup militant ishte përgjegjës për dy sulme vdekjeprurëse me bombë që shënjestruan ndërtesën e Parlamentit dhe varrin e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Khomeini./REL