Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë lidhur me shtetasin Q.N i dënuar me 15 vjet burg në 2019 për përdhunimin e vajzës së tij.
Ai është shpallur fajtor për veprat penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale Q.N, i cili kërkoi pafajësi, duke pretenduar se faktet për të cilat akuzohet janë sajim i viktimës dhe ish bashkëshortes.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj.Valdete Hoxha dhe anëtar znj.Edlira Petri dhe z.Genti Shala, me vendimin nr. 698 datë 21.12.2021 vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 2923 datë 19.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Q.N u arrestua në 2018 nga policia pas denoncimit të së bijës, asokohe 25 vjeçe.
Ajo akuzonte të atin se kishte abuzuar seksualisht me të për 16 vite, që kur ajo ishte 9 vjeçe. Abuzimi seksual nga i ati kishte nisur një mbrëmje kur ai ishte kthyer i dehur në shtëpi.
Sipas saj, i ati e kishte lënë në moshën 19-vjeçare shtatzënë dhe e kishte detyruar të abortonte.
Në moshën 25-vjeçare ajo ishte larguar nga shtëpia në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë”, dhe ishte strehuar në një Kishë Ortodokse.
Aty ajo e kishte ndarë historinë me murgeshat të cilat e kishin bindur që të denonconte rastin në polici.
Vajza jetonte vetëm me të atin dhe motrën e vogël 24 vjeç, pasi prindërit e saj ishin divorcuar që prej vitit 2002.