16 ton kokainë/ Trafikanti shqiptar ‘plas bombën’ në gjyq: Prokurori ishte informatori ynë

0
2

Nga Mirku Voltmer, BILD

A do t’i kushtojë shtrenjtë prokurorit një dëshmi nga një trafikant i dënuar droge?

Në gjyqin para Gjykatës së Qarkut në Hanover, një trafikant kokaine e akuzoi rëndë prokurorin, i cili po hetohet për ryshfet.

Dëshmitari është Besim M. (41 vjeç). Që prej tetorit 2024, ky shqiptar me precedentë të shumtë po vuan një dënim gjashtëvjeçar për trafik droge.

Gjatë një takimi në liqenin Maschsee në Hanover, sipas deklaratës së tij të enjten, kreu i dyshuar i mafies së kokainës i ka zbuluar atij identitetin e “urithit” (bashkëpunëtorit të fshehtë).

Me fytyrë të ngurtësuar, i pandehuri, prokurori Yashar G. – i cili festoi kohët e fundit ditëlindjen e 40-të në paraburgim – dëgjoi dëshminë e dëshmitarit.

Ai akuzohet se ka furnizuar sindikatën më të madhe të drogës në Gjermani me informacione në këmbim të parave, përfshirë vëzhgimet dhe bastisjet.

Banda u zbulua kur u përpoq të kontrabandonte 16 ton kokainë nga porti i Hamburgut. Hetuesi kryesor kundër grupit ishte pikërisht Yashar G. nga Prokuroria e Hannoverit.

“Në vitin 2019 u takova me të për herë të parë në një restorant grek,” i tha Besim M. gjykatëses. Ai atëherë nuk e njihte Yashar G. dhe nuk dinte asgjë për funksionin e tij. Në një grup të vogël ai i ishte prezantuar si “një mik” . Pasuan takime të tjera, përfshirë në sektorin VIP gjatë një ndeshjeje të Hannover 96. “Ai po festonte dhe ishte pak i dehur,” kujtoi shqiptari.

Besim M., që është një besnik i bosit të drogës Konstantinos S. (42), pretendon se gjatë një shëtitjeje pranë liqenit Maschsee ka mësuar të vërtetën nga greko-gjermani: “Ai më tregoi se është një prokuror që e paguan, dhe tha emrin Yashar. Ky ishte një skandal i vërtetë. Një polic mund të korruptohet. Por një prokuror? Kjo ishte e rrezikshme. Vetëm shumë pak njerëz e dinin”.

Ai i paguante informatorit 5000 euro në muaj për informacione, i kishte thënë Konstantinos S. para se të arrestohej. Para arrestimit, Konstantinos S. ishte arratisur në Dubai.

Për të mos u kuptuar që trafikantët në chat-in e krimit të organizuar të koduar Sky ECC flisnin për një prokuror, sipas aktakuzës ata përdornin kodin “Cop” (në anglisht: polic) për Yashar G. – dhe sipas Besimit edhe një emoji policie ishte shtuar për maskim.

Sa e rrezikshme është kjo dëshmi për prokurorin?

Yashar G. reagoi i zemëruar: “Historia ka një grimcë të vogël të së vërtetës. Dëshmitari ka ndërtuar mbi të një gënjeshtër shumë të rafinuar”. Avokati i tij Timo Rahn i tha BILD: “Një deklaratë shumë e dyshimtë”.