18 vjet pas vrasjes së dy basketbollistëve në Korçë, nis gjyqi nga e para në Elbasan për anëtarin e “5 dyqaneve”

0
2166

Damiano Toshi, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Korçë dhe i cilësuar nga policia, si anëtar i grupit të “5 dyqaneve”, do rigjykohet sërish në gjykatën e Elbasanit.

Rigjykimi i këtij personi, që në shkallën e parë është dënuar me burgim të përjetshëm, konsiston në akuzën e vrasjes së dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollarin, Rafael Rizan, dhe plagosjen e Julian Beckës.

Vendimi për rihapjen e procesit penal të gjykimit është marrë nga Gjykata e Lartë, e cila ka vendosu të rrëzojë dënimin me burg përjetë ndaj Damiano Toshit, dhe të kthejë për rigjykim në fazën fillestare çështjen penale.

“Ora News”, mëson se gjykimi ka nisur prej 24 shkurtit 2022, në gjykatën e Elbasanit, duke u caktuar dhe trupi gjykues, me relatore, Matilda Fetaun.

Pritet që në ditët në vijim, të thirren dhe dëshmitarët e kësaj dosje penale, që flet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në 3 shtator të vitin 2004, shumë pranë pallatit të Sportit në Korçë.

Lidhur me këtë ngjarje janë dënuar dhe dy persona, shtetasit Gjergji Bregu dhe Vasi Strati. Por në të njëjtën gjykatë, pritet të fillojë dhe një gjykim tjetër, për vëllain e Damiano Toshit, Mihal Toshin, i cili është arrestuar në Greqi për llogari të prokurorisë së Elbasanit

Mihal Toshi është në pritje të ekstradimit, ndërsa me të ardhur në Shqipëri do ballafaqohet me akuzën e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim ndaj biznesmenit Ilir Rexhepi.

Tashmë të dy vëllezërit Korçarë akuzohet për vrasjen e tre personave, ndërsa do jetë gjykata e Elbasanit, ajo që do vendosi nëse ata janë fajtorë ose jo në dy ngjarjet e ndodhura në Korçë dhe në Elbasan.

Sipas burimeve, Mihal alias Mirgert Toshi, dyshohet se ka ekzekutuar biznesmenin, Ilir Rexhepi, për llogari të një grupi të fuqishëm kriminal në Elbasan, të cilët i kanë garantuar, se përmes lidhjeve të tyre në gjykatë, do paguanin për ti shpëtuar vëllain, Damiano Toshin, në mënyrë që ky i fundit të mos dënohej nga Gjykata e Elbasanit.

Vrasja e Rexhepit, ka ndodhur 18 ditë para se në gjykatën e Elbasanit të jepej vendimi për Damiano Toshin, e cila në 2012 e dënoi me burgim të përjetshëm.

Por tashmë kjo çështje do rigjykohet sërish me tjetër trupë gjykuese.