197 vizitorë, prej tyre 56 të huaj kanë shijuar Muzeun Ikonografik Onufri dhe Muzeun Etnografik në Berat.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat, ka bërë të ditur se në respekt të masave të sigurisë, qendrat kulturore të Beratit janë kthyer në një motiv atraksioni për turistët vendas e të huaj.
“Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik mikpriti ditën e diel 141 vizitorë shqiptarë dhe 56 të huaj, duke respektuar masat për mbrojtjen nga COVD-19.
Ejani në muze, rruajmë distancën respektojmë rregullat, njihemi me vlera të pasura kulturore të qytetit të Beratit.”,- njoftoi të hënën, Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat.
Berati, qyteti i një e mbi një dritareve, i mbrojtur nga UNESCO është një pasuri kombëtare që duhet vizituar nga të huajt dhe vendasit.
Në Berat atraksionet kulturore dhe historike janë të rrethuara nga bukuri natyrore e të rralla të cilat kthehen në shtysë më të madhe për turistët e aventurës që përveç se ushqejnë pasionin e tyre, prekin dhe historinë dhe kulturën e vendit tonë në të gjithë dimensionet e saj, nga antikiteti, deri tek modernia.