Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në zonën e Kalitheas, në Greqi, ku një vajzë 2-vjeçare ra aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou” dhe u mbyt, pasi për disa çaste doli nga vëmendja e prindërve të saj. Sipas informacioneve, fëmija po luante në shesh kur, pa u vënë re nga prindërit, ra në ujë. Kalimtarët që panë ngjarjen njoftuan menjëherë një patrullë policie që ndodhej aty pranë. Efektivët reaguan menjëherë, nxorën vajzën nga uji dhe e transportuan me makinë patrullimi në Spitalin Pediatrik “Aglaia Kyriakou”.
Në spital, mjekët u përpoqën për rreth 40 minuta të ringjallnin vajzën e mitur, duke kryer ndërhyrje të menjëhershme reanimimi (CPR). Përpjekjet rezultuan të suksesshme, pasi fëmija u rikthye në jetë, por autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se gjendja e saj shëndetësore mbetet kritike dhe ajo ndodhet e shtruar në njësinë e kujdesit intensiv.
Gjatë hetimeve, autoritetet konstatuan se prindërit, kur u pyetën nga mjekët e urgjencës, kishin deklaruar se vajza ishte 5 vjeçe, ndërkohë që më pas u vërtetua se ajo ishte vetëm 2 vjeç, çka ka ngritur shqetësime serioze për neglizhencë në mbikëqyrje. Në këto rrethana, policia greke bëri të ditur se arrestoi babanë e fëmijës, një 25-vjeçar me origjinë shqiptare, ndërsa nëna 23-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë. Të dy prindërit do të dalin para prokurorit ditën e hënë, me akuzën e neglizhencës në mbikëqyrjen e një të mituri.
Sipas mediave greke, ndaj babait është ngritur një çështje penale për veprën e “ekspozimit të një të mituri ndaj rrezikut”, ndërsa e njëjta akuzë rëndon edhe ndaj nënës, e cila ndodhet pranë vajzës së saj në spital, nën mbikëqyrjen e policisë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.


