Policia e Tiranës ka arrestuar 21 persona në lidhje me protestës e zhvilluar pasditen e së martës nga Partia Demokratike.
Mes të prangosurve janë edhe katër të mitur të moshës 17 vjeç të cilët akuzohen për “goditje për shkak të detyrës”, “plagosje të rëndë me dashje”, “prishje të qetësisë publike”, “shkatërrim prone” dhe “kundërshtim të punonjësve të rendit”.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin numër.1 referuan materialet në Prokurori edhe për sekretarin organizativ të Partisë Demokratike, Ervin Minarolli, i dyshuar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”.
Ndërkohë në organin e akuzës janë referuar materialet edhe për deputetët Belind Këlliçi, Klevis Balliu, Luan Baçi dhe Flamur Noka, të cilët akuzohen për “kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “shtyrje të të miturit në krim”.
Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, protestuesit kanë hedhur lëndë djegëse të llojit molotov, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë dhe godinës së Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Si pasojë e dhunës, 19 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar nga goditjet me sende të forta dhe molotov. Dy prej efektivëve janë dëmtuar më rëndë si pasojë e djegieve, ku njëri prej tyre mund t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
17 efektivët e tjerë morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuar mbeti dhe deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati, i cili gjithashtu mori ndihmën mjekësore ne spitalin e Traumës.
Ndërkohë policia sekuestroi 22 shishe molotov të pashpërthyera si dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse, benzinë.


