Policia franceze është alarmuar pas denoncimit se në Disneyland po zhvillohej një ceremoni martesore me një vajzë rreth nëntë vjeç.Parku për fëmijë jashtë Parisit ishte marrë me qira për një dasmë private, që mendohej të ishte e vërtetë, herët të shtunën në mëngjes, para orarit të hapjes për publikun.
Por stafi dhe sigurimi i Disneyland thirrën policinë kur vunë re se e ashtuquajtura nuse, e veshur me fustan të bardhë, ishte shumë e re në moshë, sipas The Guardian.
Pas hetimeve të policisë, zyra e prokurorit lokal në Meaux tha se ngjarja nuk ishte një ceremoni martesore e vërtetë.
“Ngjarja rezultoi të ishte e inskenuar, të ftuarit ishin të gjithë aktorë,” tha zëvendësprokurori lokal për Agence France-Presse.
“Pra, nuk ishte një dasmë e mirëfilltë, por një inskenim i një dasme, e cila u filmua me rreth 100 figurantë. Ata kishin marrë me qira në mënyrë private Disneyland Paris duke pretenduar se ishte një dasmë reale.”
Katër persona u arrestuan nga policia. Dy prej tyre janë ende nën hetim të dielën, të dyshuar për mashtrim dhe pastrim parash.
Ndër ta ishte një burrë që thuhet të ketë qenë dhëndri i rremë, i cili dyshohet se ka organizuar ngjarjen. Ai është 22 vjeç dhe mendohet të jetë britanik, raportoi AFP. Një grua 24-vjeçare nga Letonia gjithashtu po merrej në pyetje.
Vajza e vogël, që është nga Ukraina, nuk kishte pësuar “dhunë apo detyrim”, tha zyra e prokurorit. Nëna e saj, 41 vjeç, u lirua nga marrja në pyetje, po ashtu edhe një burrë 55-vjeçar nga Letonia.
Disneyland Paris është parku tematik më i vizituar në Europë dhe mund të merret me qira për dasma jashtë orarit të hapjes, me kështjellën e Bukuroshes së Fjetur si sfond.
Nuk ishte e qartë pse mund të ishte inskenuar një dasmë e rreme atje dhe çfarë roli kishte fëmija. Gazeta lokale Le Parisien raportoi se figurantët që do të merrnin pjesë si mysafirë u sollën me autobus në zonë.
Njëra prej figuranteve, që ishte punësuar për të marrë pjesë në atë që mendonte se ishte një dasmë e vërtetë, i tha radios France Inter: “Pashë panikun e njerëzve të Disney-t, pastaj, nga dritarja, pashë një fëmijë të vogël me fustan të bardhë. Një grua po e mbante në krahë dhe atëherë kuptova se fëmija ishte vërtet shumë i vogël.”
Disneyland Paris i tha radios: “Një ngjarje private e rezervuar në destinacionin tonë u anulua menjëherë nga stafi ynë pasi u identifikuan parregullsi. Policia u thirr dhe mbërriti menjëherë.”
Parku tha se po bashkëpunon me autoritetet dhe kishte paraqitur një padi ligjore për llogari të vet.