25 prilli, Celibashi: Në tetor rinumërojmë mbi 500 kuti

0
165

Mbi 500 kuti votimi të 25 prillit do të rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo do të bëhet për herë të parë, pasi Kodi Zgjedhor i ndryshuar e ka vendosur këtë garanci që të frikësojë numëruesit të mos abuzojnë duke e ditur se kutia e tyre, mund të qëllojë mes atyre që do të rihapet.

“Ia kemi dërguar aktin partive politike parlamentare për një opinion nga ana e tyre në lidhje me këtë akt. Mesi i tetorit do të na gjejë me procesin e filluar.”

Siç sqaron Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Iliran Celibashi, përzgjedhja e kutive do të jetë rastësore dhe do të shtrihet në çdo KZAZ.

“Do të jetë një short në mënyrë elektronike praktikisht për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, proporcionalisht 10 për qind e qendrave të votimit do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit pas zgjedhor.”

Nëse evidentohen shkelje, komisionerët dhe numëruesit do të kallëzohen në prokurori.

5 muaj pas zgjedhjeve, KQZ nuk ka dërguar ende asnjë rast në prokurori, edhe pse subjektet denoncuan raste flagrante, p.sh. si një numërues që bënte shënime mbi fletët e votimit, duke i nxjerrë të pavlefshme.

“Kjo për faktin që ato parregullsi që janë evidentuar, vetë subjektet zgjedhore që kanë qenë të interesuara i kanë prezantuar pranë organit të prokurorisë.”

Por bashkëpunimi me hetuesit ka qenë intensiv.  Këto veprime kryhen paralelisht me kërkesën e opozitës për hetim parlamentar mbi 25 prillin, që Selia Blu e quan masakër zgjedhore. /abcnews.al/