30 vite në shërbim të lajmit, Fatmir Popja zgjidhet kryetar i Unionit të gazetarëve të Elbasanit

0
2

Pas një karriere mbi tre dekada në shërbim të informacionit, Fatmir Popja është zgjedhur kryetar i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan, një post që vjen si vlerësim i merituar për punën dhe përkushtimin e tij. Ai pason në këtë detyrë Besim Dybelin, i cili e drejtoi unionin për shumë vite, me përkushtim dhe devotshmëri, ndërsa dha dorëheqjen pak kohë më parë. I pranishëm në procesin e votimit ishte edhe kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, i cili vlerësoi punën dhe kontributin e unionit të Elbasanit, me besimin se me z.Popja në krye kjo traditë pozitive e unionit do të vazhdojë ende.

Popja është një nga figurat më të respektuara në median shqiptare. Ai ka qenë dhe është pjesë e redaksive kryesore në vend, duke kontribuar në News 24, Gazeta Shqiptare, BalkanWeb, RTSH, gazetat sportive etj., ndërsa së fundmi mban postin e drejtorit të përgjithshëm të portalit AlbaniaExpress.al, një media e re e cila ka fituar shpejt besimin e publikut. Në çdo rol, ai ka treguar profesionalizëm, seriozitet dhe mbi të gjitha korrektësi në marrëdhëniet me kolegët dhe bashkëpunëtorët. Njëkohësisht, në këtë karrierë të gjatë mbi supe, është fitues i disa çmimeve prestigjoze në gazetari, autor i rreth 20 mijë shkrimeve, qindra intervistave me personalitete të shquara të fushave të ndryshme, moderator i emisioneve të ndryshme, drejtues i mediave lokale etj.

Në harkun e tri dekadave, Popja ka qenë dëshmitar dhe raportues i të gjitha ngjarjeve të mëdha që kanë shënjuar Shqipërinë demokratike. Nga trazirat politike e sociale, tek reformat, ndryshimet dhe sfidat e vendit, zëri i tij ka sjellë informacion të balancuar, duke respektuar parimet e gazetarisë dhe të vërtetën. Ai ka ditur gjithmonë të jetë aty ku ngjarja zhvillohej, duke u shndërruar në një burim të besueshëm për publikun dhe një shembull për kolegët më të rinj.

Zgjedhja e tij në krye të Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan nuk është thjesht një detyrë, por një mision i ri: të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e gazetarëve, të forcojë rolin e tyre në shoqëri dhe të nxisë bashkëpunimin me institucionet. Popja e ka treguar se beson tek etika, solidariteti dhe integriteti profesional, ndaj kolegët e shohin atë si figurën më të përshtatshme për këtë detyrë.

Ky moment shënon një kapitull të ri në karrierën e tij, por edhe një fitore për gazetarinë e Elbasanit. Me një eksperiencë të pasur, me kulturë profesionale dhe me një ndershmëri të padiskutueshme, Fatmir Popja është shembull se si pasioni për profesionin mund të ndërthuret me përgjegjësinë ndaj publikut dhe shoqërisë.

Në ditët kur gazetaria përballet me sfida të shumta, emra si ai sjellin besim se ky profesion fisnik do të vazhdojë të mbajë peshën e vet si pushteti i katërt. Zgjedhja e Fatmir Popjas është një mesazh i qartë: integriteti, përkushtimi dhe korrektësia shpërblehen.