37-vjeçarja në Tiranë vritet me thikë nga motra e madhe

0
650

37-vjeçarja Amanda Pushani humbi jetën të shtunën pas plagëve të shkaktuara nga thika. Autore e kësaj ngjarje dyshohet të jetë motra e madhe saj, e cila është vënë në pranga nga policia. Ajo është Marsela Pushani, 40 vjeç. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti mes të dyjave.

“Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen Marsela Pushani, 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen Amanda Pushani, e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë”, njoftoi policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Hajdar Hidri” në kryeqytet. Familjarët kishin njoftuar se 37-vjeçarja kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Por ka qenë autopsia që ka zbuluar se e reja ka ndërruar jetë si pasojë e goditjeve me thikë.

Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se 37-vjeçarja është goditur një herë me thikë poshtë stomakut. Sipas të njëjtave burime, 37-vjeçarja pinte shumë alkool dhe ky fakt herë pas here ishte shkaktar i zënkave mes dy motrave.

Vrau motrën me thikë, zbardhet dëshmia e 40-vjeçares

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Tiranë ku motra e madhe vrau me thikë të voglën.

Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, 37-vjeçarja Amanda Pushani ka marrë një goditje me thikë poshtë stomakut nga motra e saj Marsela Pushani, 40 vjeçe.

Fillimisht familjarët nuk kanë treguar në polici dhe e kanë raportuar vdekjen si natyrale. Por pas autopsisë u zbulua e vërteta. Viktima jetonte në një banesë me motrën dhe nënën e tyre. Sipas të njëjtave burime, Amanda Pushani prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe problematike.

Kjo ka qenë arsyeja se pse herë pas here mes dy motrave kishte zënka.

Marsela Pushani ka dëshmuar në polici se ditën e ngjarjes Amanda është përplasur me nënën dhe me të. 37-vjeçarja ka marrë më pas thikën duke i kërcënuar.

Në momentin e përleshjes, Marsela Pushani i ka marrë thikën nga duart dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e ka qëlluar të motrën duke i marrë jetën. Autorja me profesion mësuese ka deklaruar se nuk donte të vriste të motrën, por gjithçka ndodhi në pak momente.