39% e të punësuarve morën paga më pak se 35,520 në muaj në 3-mujorin e parë

0
97

Në Shqipëri, vetëm 60% e atyre që raportohen si të punësuar marrin pagë mujore, pjesa tjetër është e vetëpunësuar pa pagesë kryesisht në biznesin e familjes.

Por edhe ata që marrin paga, në një pjesë të madhe janë në spektrin më të ulët të pagës mujore.

Të dhënat e fundit të INSTAT, që i takojnë tremujorit të vitit, tregojnë se rreth 39% e popullsisë paguhet deri në nivelin e pagës minimale. Paga minimale në muajin prill 2023 arriti në nivelin 40,000 lekë buto, por përfitimet neto në muaj janë 35,520 lekë.

Pavarësisht se presionet në tregun e punës janë rritur nga mungesa e fuqisë punëtore, pagat zyrtare, ato që deklarohen në tatime për efekt të sigurimeve, kanë shënuar rritje reale vetëm 2% në krahasim me fundin e vitit.

Sektorët me punësim intensiv, industria përpunuese që prodhon për eksport, po kalon vështirësi që po jep pasoja në punësim dhe paga. Nënçmimi i Euros në këmbim me Lekun po gërryen të ardhurat e eksportuesve dhe planet e tyre për ndryshimin e pagave.

INSTAT raportoi se në 3-mujorin e parë të këtij viti, 21.6% e të punësuarve morën paga poshtë nivelit të pagës minimale 36 mijë lekë (paga minimale janar-mars 2023), ndërsa 17.1% e të punësuarve me pagë morën pagesa mujore bruto në mes 360 mijë lekë dhe 40 mijë lekë.

Tek të punësuarit me pagë, grupi me peshën më të madhe janë punonjësit me paga 60,000-95,000 lekë, por ky grup përfaqësohet nga të punësuarit në sektorin shtetëror ku paga mesatare mujore bruto për shumicën është në këto intervale.

Grupi i punonjësve me paga të larta mbi 120,000 mijë në muaj përbënte 7% të të punësuarve me pagë në tremujorin e parë me një rritje 1.5 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e parë 2022.

Inflacioni i lartë pas luftës në Ukrainë i ka ulur përftimet nga pagat. Në të gjitha vendet në Europë dhe në Rajon, qeveritë dhe bizneset po përdorin pagat si instrument për zbutjen e efekteve të inflacionit.

Edhe qeveria shqiptare ka një nismë të tillë, po vendosi fillimisht të rrisë pagat e larta të deputetëve dhe ministrave nga 50 në 92%, duke i çuar në nivelet më të larta rajonale.

Ndërkohë pagat për administratën publike u rritën realisht vetëm 2%, duke qëndruar sërish shumë poshtë niveleve rajonale.

Në krahun tjetër, sektori fason dhe call center që janë punëdhënësit më të mëdhenj të të punësuarve me pagë po rrezikojnë falimentin nga rënia e Euros, duke pezulluar në këtë mënyrë edhe planet që kishin për rritjen e pagave. MONITOR