Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi u shpreh se, “sektori i bujqësisë është nga sektorët që jo vetëm nuk ka pasur rënie për shkak të COVID-19, por sipas treguesve që ne kemi, ka performuar edhe më mirë se një vit më parë sidomos në lidhje me rritjen e prodhimit të fruta-perimeve dhe eksporteve të tyre”.
Në një intervistë televizive, ai tha se, ka qenë një vit i mbarë në rritjen e prodhimit bujqësor, që i adresohet trendit dhe vizionit të qeverisë, për të investuar tek ky sektor.
“Kulturat me rritjen më të madhe janë sigurisht domatja, kastraveci, speci, agrumet, bostanët, shalqi, pjepër, luleshtrydhja. Këto janë kampionët. Këto shkojnë që nga Greqia, si skaji jugor i BE-së deri në supermerkatat e Suedisë, Norvegjisë, Italisë, Anglisë, etj. Sigurisht tregu kryesor mbetet ai rajonal si Serbi, Bullgari, Kosovë, Maqedoni e Veriut. Thashë harta përfshin të gjithë Europën ku ne eksportojmë produkte shqiptare”, – tha ministri.
Sipas tij, ka shumë forma që qeveria subvencionon sektorin e bujqësisë.
“Nëse ne do t’i referohemi grantit, ne kemi dy shina që sponsorizojnë sektorin; skema kombëtare, që japim grante të drejtpërdrejta fermerit dhe skema e IPARD-it ku fondet të BE-së i japim për investime në sektorë të ndryshëm e fermë. Të dyja këto kanë pësuar rritje. Ndërkohë që pakësoheshin paratë në sektorë të tjerë për shkak të pandemisë, ne me Aktin Normativ shtuam 400 milionë lekë të tjera, për t’ia dhënë këtë të drejtë fermerëve. Është padyshim oferta më e mirë që ka pasur ky sektor”, – deklaroi Çuçi.
Sipas tij, paratë që vijnë nga skema kombëtare shkojnë nominalisht tek fermeri.
Lidhur me situatën e krijuar nga Covid-19, nëse do të ketë një mbyllje tjetër, ministri tha se, “nuk është një mundësi që e kemi shtruar për diskutim. Ne nuk duam të shkojmë drejt një mbylljeje tjetër totale që do ketë pasoja të rënda për mirëqënien e njerëzve, por duhet dhe kjo do varet nga mënyra se si do sillemi”.
“Përfitoj nga rasti që të bëj thirrje për respektimin e të gjitha masave që janë të thjeshta dhe duhet të kthehen në pjesë të jetës së përditshme për të parandaluar përhapjen e virusit”, – tha ministri. e.xh/j.p/r.e/