5 ditë kërkime/ Devijohet lumi Fan, asnjë gjurmë nga 10-vjeçari që e mori rrjedha teksa luante me vëllain dhe shokët

0
120

Kanë hyrë në ditën e pestë kërkimet për trupin e 10-vjeçarit që e mori rrjedha e lumit Fan në Mirditë.

Pavarësisht kërkimeve që kanë vijuar, derimë tani nuk ka asnjë shenjë nga i mituri, që ra në lumë, teksa ishte duke ndjekur topin, teksa luante me shokët e tij.

RENEA dhe polumbarët kanë rinisur kërkimet në orën 08:00 të mëngjesit, ndihmuar dhe nga banorët e zonës.

Nga dje është bërë i mundur devijimi i lumit Fan, pranë një ure të shkatërruar ku dyshohej se mund të gjendej trupi i të miturit, por asnjë gjurmë prej 10 vjeçarit nuk u gjet.

Gjatë ditës së sotme do të kërkohet në dy drejtime, nga ura që u bë devijimi i lumit, deri në HEC-in që ndodhet disa kilometra më poshtë.

Mosgjetja e trupit ka shtuar dhimbjen e familjarëve, të cilët prej 6 ditësh kanë hapur dyert e mortit, edhe pse nuk kanë asnjë shenjë nga i mituri.