Mbase nuk njihen gjerësisht, ama rrethinat e Elbasanit ofrojnë një potencial të jashtëzakonshëm për turizmin alpin dhe atë malor, për shkak të larmisë së pasurive dhe resurseve natyrore që ofron kjo zonë, si edhe afërsisë së tyre me qytetet kryesore dhe infrastrukturës së mirë rrugore që i lidh ato.
Turizmi në zonat përreth qytetit të lashtë të Elbasanit ofron pika të shumta që nuk duhen humbur. Prej vitesh ato kanë tërhequr turistë të shumtë vendas dhe të huaj.
Këto janë vetëm 5 prej tyre, ndaj mos ngurroni t’i bëni ato pjesë të listës suaj këtë verë.
Oazi i Bushekut, Shushicë
9.5 kilometra nga qendra e qytetit të Elbasanit, fshati i Shushicës është një pikë turistike mjaft tërheqëse jo vetëm për banorët e Elbasanit por edhe për vizitorë nga e gjithë Shqipëria e pse jo edhe bota. Banorët e zonës e tregojnë historinë e këtij vendi me krenari jo vetëm për mikpritjen tradicionale dhe harmoninë fetare që janë karakteristike në të gjithë Shqipërinë, por ata tregojnë edhe se në këtë territor janë zhvilluar beteja të shumta e ndaj është mbajtur gjithmonë si një zonë mjaft patriotike.
Një pikë mjaft interesante që duhet të vizitoni në Shushicë, është Oazi i Bushekut, që në gjuhen turke do të thotë vend çlodhës apo vend argëtues. Ky emër ju vu pikërisht pasi luftëtarë turq vinin këtu bashkë me kuajt e tyre për t’u çlodhur, duke përfituar nga lugina e lumit Shkumbin, burimet e freskëta ujore si edhe hija çlodhëse që ofrojnë pemët e rrapit shumë shekullore, që të gjithë së bashku kontribuojnë në mikroklimën tejet të shëndetshme që të ofron Busheku.
Mos ngurroni ta vizitoni për të shijuar një vend sa natyral aq edhe historik.
Kisha e Shën Kollit
Kisha e Shën Kollit ndodhet në fshatin Shelcan, që bashkë me Shushicën bëjnë pjesë në atë që Elbasanllinjtë e quajnë Zonën e Shpatit. Kjo kishë është një monument kulturor mjaft i veçantë që nuk duhet humbur. Me një vjetërsi 500 vjeçare, e ndërtuar pikërisht në vitin 1554, kjo kishë i ofron mundësinë e rrallë vizitorëve, për të parë nga afër veprat e mjeshtrit të madh shqiptar të ikonave, Onufrit.
I lindur në shekullin e 16-të, Onufri ka pikturuar shumë kisha në të gjithë Shqipërinë dhe ikonostaset e tij të famshëm mund të gjenden sot të ekspozuar edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë apo edhe në Muzeun Ikonografik të Beratit. Mos e humbisni këtë kryevepër 500 vjeçare që gjendet në mes të peizazheve paqësore të natyrës së bukur të Shqipërisë së Mesme.
Dushku i Lleshanit
Dushku i Lleshanit është një stacion në fshatin Lleshan, që ndodhet mes fshatrave Dërstilë dhe Shelcan, e që ruan nën vete një legjendë plot pesë shekullore. Pikërisht në këtë vend thuhet të ketë humbur jetën 5 shekuj më parë, fëmija e një familje udhëtarësh, të cilët të rraskapitur nga rruga e gjatë, janë ulur për një çast nën hijen e këtij dushku madhështor, ku për fat të keq, fëmija pasi ka përtypur një frutë prej pemës është mbytur dhe ka ndërruar jetë.
Kështu legjenda thotë se fruti mbiu në trupin e pajetë të foshnjës dhe nga aty hapi degët madhështore ky dushk, i cili duhet thënë se është një pemë mjaft e rrallë që nuk para gjendet në ketë zonë. Që nga viti 2002, ky dushk është shpallur monument kulture dhe jo vetëm për simbolikën që ofron por edhe për natyrën e jashtëzakonshme që e rrethon, nuk duhet absolutisht ta humbisni!
Fshati Gjinar
I njohur si një perlë e turizmit të Elbasanit, fshati i Gjinarit që ndodhet rreth 25 km larg Elbasanit, prej kohësh është shndërruar në një atraksion turistik që pret jo vetëm ata që duan të kalojnë një ditë të bukur në natyrë, por edhe ata që duan ta shijojnë ushqimet tradicionale të zonës dhe të akomodohen në disa prej bujtinave mikpritëse që janë ngritur në këtë zonë.
Gjinari vizitohet jo vetëm në muajt e verës por edhe në dimër pasi këtu turizmi malor dhe ai alpin është vetëm ne hapat a parë dhe ka një potencial të jashtëzakonshëm. Gjinari gjendet rreth 800-1000 metra mbi nivelin e detit dhe ofron një larmi peizazhesh dhe resursesh natyrore që e bëjnë këtë vend një nga pikat më të preferuara për dashamirësit e natyrës dhe turizmit alpin.
Ajri i pastër malor plot oksigjen, pyjet e shumta me pisha dhe burimet e shumta ujore, bëjnë që kjo zonë përveç bukurisë të rekomandohet për të gjithë ata që duan të përfitojnë aspektet kurative që Gjinari i ka me bollëk. Turistët e huaj prej kohësh e vizitojnë këtë zonë ndaj mos hezitoni të vini në Gjinar, pasi këtu do të gjeni çdo gjë që i mungon përditshmërisë tuaj në metropol.
Maja e Bukanikut
Dhe së fundmi, Maja e Bukanikut është pika më e lartë e Malit të Shpatit, i cili ndodhet 30 km nga qendra e Elbasanit dhe vetëm 9 km nga fshati i famshëm i Gjinarit. Në një lartësi prej 1,821 m mbi nivelin e detit, kjo pikë mjaft tërheqëse është kthyer prej kohësh në një vend mjaft të dashur nga vizitorët që parapëlqejnë ecjet e gjata në natyrë dhe ngjitjet në mal.
E njohur si një zonë perfekte për piknik dhe ecje, për ata që janë të pasionuar pas ngjitjeve në mal, kanë stërvitjen e duhur dhe kërkojnë diçka plus gjatë vizitës së tyre në Elbasan, nga maja e Bukanikut ata mund të shohin edhe Detin Adriatik. Ngjitja mund të zgjasë rreth 3 orë, duke u nisur nga fshati i Gjinarit dhe grupe të ndryshme udhërrëfyese ofrojnë guida me pikënisje nga Elbasani ose edhe nga Tirana, për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj eksperience dhe të njihen nga afër me një nga pikat më të kërkuara në rrethinat e Elbasanit.
Euro news