Zv.ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi, e angazhuar së fundi në kauzën për të sqaruar opinionin se çmimet e kripura të një lokali a restoranti, në sistemin ku jetojmë e veprojmë, janë “lojë e tregut” dhe jo detyrë e qeverisë, ka shpërndarë një status plot ironi, pasi ka ofruar një faturë me çmime të sheqerosura nga Dhërmiu.
Ajo e nis atë me detajin JOQ, një akronim i diskutueshëm i llojit të gazetarisë, i cili moleps përgjithësisht nivele të ulëta shoqërore, edhe pse ndodh t’i referohet një Doc. Prof. Si Berisha.
Ajo i referohet në postimin e saj disa personave, të cilët pasi hanë nëpër restorante të ndryshme, gjëja e parë që bëjnë është të nxjerrin në rrjetet sociale çmimet e kripura të vendeve ku shkojnë, me idenë e denoncimit të këtyre çmimeve.
Ndërkohë, me faturën e publikuar, numri dy i turizmit ka ironizuar të gjithë ata qytetarë, që e bëjnë këtë gjë, duke nënkuptuar që në Dhërmi nuk të shkon gjithmonë fatura 100 mijë lekë apo edhe 1 milion lekë, por ja që shkon edhe pak lekë, vetëm 31 mijë lekë të vjetra, pra diçka më shumë se 6 mijë lekë personi.
“5 veta 3150 lekë. 630 lekë personi. SKANDAL!!! A janë normal këto me këto çmime . Duhet të ndërhyjë shteti dhe t’ju përcaktojë çmimin. Sigurisht që kudo ka çmime të ndryshme, ky restorant është në Dhërmi dhe ndër të tjera ka çmime super të lira dhe super cilësi. Ndër të vetmit madje që bën edhe gatime tradicionale.
Se dyti, qysh kur kemi kaluar në kapitalizëm nuk mund t’ju përcaktohen çmimet restoranteve dhe bareve dhe shumë biznese private. Janë produktet e domosdoshme ato që ju përcaktohet çmimi!
Së treti, në Dhërmi ka vende që ndoshta 5 vetave mund t’ju shkojë edhe 1000 euro fatura dhe shyqyr që ka se përndryshe do ishim një vend komunist dhe mbi të gjitha tregojmë që kemi diversitet.
Së katërti, çdo i huaj para se të bëjë porosinë lexon menynë. Po ne pse nuk e lexojmë!? Apo duam foto për tek JOQ! JOQ Albania. Pushime të mbara të gjithëve”, mbyll statusin e saj ironik numri dy i turizmit.