Elbasan – Është arrestuar Oficer i Policisë Gjyqësore në Elbasan, Kujtim Ozuni.
Njoftimi është bërë i ditur nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Raportohet se punonjësi i policisë dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi në detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore për hetimin e aksidenteve rrugore, ai dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerën 50.000 lekë gjatë hetimit të një aksidenti rrugor, ku mbetën të plagosur disa shtetas.
Njoftimi i policisë:
Elbasan – SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të procedimit penal të vitit 2021, ndjekur me metoda speciale të hetimit, ka kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj punonjësit të policisë N/Komisar K.O., 52 vjeç, me detyrë Specialist dhe Oficer i Policisë Gjyqësore për hetimin e aksidenteve në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.