Bashkia Elbasan pozicionohet e treta në renditjen e njësive vendore për dhënien e pasurive publike me qira subjekteve private gjatë 10 viteve të fundit. Bashkia e Elbasanit, që sipas dosjeve të SPAK dhe komunikimeve në SkyEcc është nën kontrollin e krimit, ka dhënë 730 hektarë tokë publike me qira, ku 58.7% (428 ha) janë për energji të rinovueshme dhe 38% (277 ha) për agropylltari.
Ashtu si në tendera, emërime drejtorësh dhe leje ndërtimi, në pah dalin grupet kriminale që rezultojnë se kanë marrë me qira (vlerë simbolike) pronat publike në Elbasan, drejtëpërdrejt ose përmes biznesmenëve satelitë, për të ngritur bizneset e tyre me para të pista.
Faktet tregojnë se Gledian Llatja është vetëm në letra kryebashkiak i Elbasanit pasi praktikisht vepron si një administrator i caktuar nga Suel Çela, në kërkim nga SPAK si kreu i një prej organizatave kriminale më të rrezikshme në Elbasan dhe Shqipëri e përfshirë në trafik droge, atentate, pastrim parash, korruptimin e zyrtarëve lokalë etj.
Në 17 korrik të vitit 2024, Bashkia Elbasan me në krye Gledian Llatjan i ka dhënë babai të Suel Çelës, Petrit Çela, përmes kompanisë Çela P shpk., 7 hektarë pyje në “Papërr-Sollak” për vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike/eolike me qëllim prodhimin e energjisë.
Procedura tenderuese është formale dhe me fitues të paracaktuar. Çmimi dysheme për dhënin me qira të pronës publike nga Bashkia Elbasan është 1 083 500 lekë në vit. Çuditërisht oferta fituese e kompanisë së babait të Suela Çelës është 1 083 500 lekë, aq sa vlera dysheme, duke e bërë tenderin/ankandin të humbasë qëllimin që është krijimi i konkurrencës dhe përfitimi i autoritetit publik pikërisht nga ofertat.
Në maj të vitit të kaluar, Llatja ka kopsitur letrat duke i dhënë Çelës edhe 12 hektarë pyje publike, në të njëjtën zonë, për të ngritur panelet diellore.
Ligji ndalon që të skeduarit dhe të dënuarit për trafik droge dhe krime të rënda të marrin pjesë në tendera dhe ankande publike, por në figurat e krimit kanë gjetur shtigje, duke marrë paratë dhe pasuritë publike përmes kompanive në emër të të afërmve.
Në janar të vitit 2024, Bashkia Elbasan i ka dhënë një sipërfaqe të papërcaktuar pyll publik shtetasit Renato Bodurri për të ngritur një kamping. Renato Bodurri rezulton një ushtar i grupeve kriminale në Elbasan, të cilin e përdorin për menaxhim biznesesh, pastrim parash dhe krime.
Bodurri është marrë i pandehur nga Prokuroria edhe si pjesëmarrës në sulmin fizik ndaj gazetarit Gjergj Zefi, mbrëmjen e 10 marsit 2023, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Bodurri është menaxher në lokalin e famshëm Living në Elbasan, në pronësi të grupit Çopja, Hajdar (Dar) dhe Franc Çopja të akuzuar nga SPAK për 4 vrasje, për porositjen e 14 atentateve, trafik droge, pastirim parash etj. Gjyshja e Renato Bodurrit dhe vetë Bodurri rezultojnë mbulesë e 72 pasurive me vlerë dhjetëra milionë euro të grupit Çopja, përfshirë edhe Hajder Çopjan, i njohur si Dari i Dubait.
Ndërkaq, në dosjen e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan, Renato Bodurri del edhe si korrier i Suel Çelës. Ai është përdorues i aplikacionit SkyEcc dhe shërben si ndërlidhës me gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila kishte porositur goditjen e gazetarit Saimir Kodra.
Suela Çela komunikon me Renato Bodurrin në SkyEcc, të cilit i kërkon që të dërgonte telefonin një personi, për të folur me të. Më tej, telefoni i shkon Megi Fetah, vajza e gjyqtares Pajtime Fetahu, e cila thotë se ‘mami është e lumtur që po komumunikon me të’. Pajtime Fetahu interesohet nëse banda po e kryen porosinë e saj për të goditur fizikisht dhe ndoshta eliminuar gazetarin Saimir Kodra.
Në 30 gusht 2024, Bashkia Elbasan i ka dhënë personazhit kontrovers Erla Myftaraj, ortak dhe mbulesë e figurave të krimit të Elbasan, 20.6 hektarë pronë publike nga ekonomia pyjore “Zalli-Shkumbin”, për vendosje të panelesh diellore. Oferta e kompanisë fituese Reverside Green shpk është sa çmimi dysheme.
Pas kompanisë fituese, e cila kamuflohet pas një karteli kompanish të tjera, qëndron Eral Myftaraj, simboli i korrupsionit me tendera në Elbasan, mashtrimit me zbatimin e kontratave, krimeve mjedisore dhe prerjen e pyjeve. Disa fakte dhe rrethana ngrenë dyshime të forta se Eral Myftaraj është dora e Suel Çelës për kontrollin e tenderave në Elbasan.
Në dosjen e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan del qartë se drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan Luan Tabaku është ushtar i Suel Çelës. Ky i fundit jo vetëm që e urdhëron, por e merr drejtorin edhe pas në makinë si të ishte ndonjë çerr, duke i dhënë porosi.
Sipas dosjes së SPAK-ut, Xhino Roka teksa bisedon me Klaus Matishin i thotë ndër të tjera se po fliste me Lanin (Luanin). Gjatë bisedës Xhino ruan një konsideratë të thellë për Luanin, për seriozitetin që ai paraqet në punë. “Zjarr është. Është për mashallah, u rri punëve te koka. Shyqyr që e kemi zemra, duhet te ai vendi ai. Përfaqësues me kollare…. Ne e sistemuam në punë dhe ai po na ndihmon tani“.
Në një tjetër bisedë që i përket muajit gusht të vitit 2020, Suel Çela del vetë në komunikimet e Sky Ecc teksa flet me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal, i identifikuar si Klaus Matishi, të cilit i tregon jo vetëm që është takuar me Luanin, por edhe se si e mban të fshehur pas në makinë që të mos e shikojnë të tjerët. Ajo që vihet re në këtë bisedë është se Suel Çela, e trajton pa ndonjë shenjë respekti të veçantë përfaqësuesin e tij me kollare në krye të institucionit ku e ka vendosur, të cilin diku në bisedë e cilëson edhe si bythëgrisur që hapet bythësh dhe që duhet mbajtur në kontroll.
Në një nga bisedat që Suel Çela bën me Klaus Matishin, ai i tregon këtij se ishte në kafe me Luanin, të cilit i kishte bërë llafe se përse nuk e kishte pyetur për lokalin. ‘Luanin e kam futur dhe po merret me gjëra të mëdha, duhet ta ruajmë shumë tani. Po mundohem ta mbaj në shina, po vjen dy herë në javë këtu me makina të ndryshme, ulet mbrapa që të mos e shohin. Mundohu të flasësh në telefon me të sa më pak’. Bisedat tregojnë qartë se drejtori Luan Tabaku është një argat i Suel Çelës.
Po kujt ia ka dhënë tenderat e ujësjellësit Luan Tabaku?
Rreth 10 milionë euro tendera ka marrë Eral Myftaraj nga drejtori i Ujësjellësit, Luan Tabaku, i cili as dritaret e zyrës nuk i hap pa lejen e Suel Çelës.
Në 27 janar 2025, Eral Myftaraj, përmes kompanisë së tij AL-MEXWOOD shpk, ka marrë tenderin e radhës nga Ujësjellësi i Elbasanit me vlerë 2.5 milionë euro, për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave Trash,Karthnek, Njësia Administrative Sheze, Bashkia Peqin.
Tenderi është firmosur nga Luan Tabaku. Në tender ka marrë pjesë vetëm Eral Myftaraj. Oferta fituese është sa fondi limit. Kriteret janë përcaktuar sipas kompanisë së Myftarajt. Besohet se gjysma e fondit ndahet mes palëve.
Në korrik 2023, Luan Tabaku ka firmosur një tender 7 milionë euro për Eral Myftarajn për rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të zonave informale: Harmës; pjesërisht Krastë e Vogël, pjesërisht Lagjja: Dyli Haxhire” dhe, pjesërisht Lagjja: Katund i Ri.
Për këtë tender, për të cilin dyshohet se Suel Çela ka urdhëruar që t’a fitojë Eral Myftaraj, është bërë një luftë e egër. Luan Tabaku ka rrezikuar jo pak. Ai ka skualifikuar çdo kompani tjetër, për t’i dhënë tenderin Eral Myftaraj, si gjithmonë me ofertë fituese sa fondi limit. Myftaraj e ka marrë tenderin përmes kompanisë tjetër Meteo shpk.
Gjatë 7 viteve të fundit, vetëm me kompaninë e ndërtimit Meteo, Myftaraj ka marrë rreth 50 milionë euro tendera. Mbi 8 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë AL-MEXWOOD, me objekt veprimtarie sudime dhe projektime në fushën e pyjeve./ Prapaskena