71-vjeçari nga Elbasani kujdeset për gruan dhe djalin e sëmurë, familja bën apel për ndihmë

0
3

Prej më shumë se 3 vitesh, 71-vjeçari Safet Jugu detyrohet të kujdeset për bashkëshorten e tij të sëmurë, ndërsa prej mbi 21 vitesh merret edhe me djalin, i diagnostikuar me skizofreni.

Ai tregon për Syri TV se jeta e familjes është bërë e papërballueshme, për shkak të kushteve të rënda shëndetësore dhe shpenzimeve të mëdha.

Bashkëshortja e tij, Lije Jugu, 69 vjeçe, nuk mund të lëviz për shkak të dhimbjeve nga gurët në temth, dhe vuan gjithashtu nga një tumor në sy dhe sëmundje kardiake. Safet Jugu tregon se edhe vetë është i sëmurë, është operuar tetë herë dhe pavarësisht kësaj, duhet të kujdeset për familjen e tij.

  • “Ndihma që marr është e papërfillshme krahasuar me shpenzimet, pasi ilaçet janë të kushtueshme dhe çdo muaj detyrohem t’i marr me listë, po ashtu edhe ushqimet,” shprehet ai.

I gjendur në këto kushte, Safet Jugu është drejtuar herë pas here me shkresa tek Ministria e Shëndetësisë, bashkia e Elbasanit dhe institucione të tjera për mbështetje ekonomike ose për rehabilitimin e djalit të sëmurë, por pa marrë zgjidhje konkrete.

Bashkëshortja e tij, Lije Jugu, tregon e përlotur: “Dhimbjet janë të mëdha dhe jeta është shumë e vështirë. Asgjë nuk është e përballueshme, pasi ilaçet janë shumë të shtrenjta. Për mua kujdeset vetëm bashkëshorti, i cili vetë është i sëmurë.”

Familja bën apel për ndihmë, duke theksuar se është e pamundur që kryefamiljari 71-vjeçar, i sëmurë, të kujdeset për pjesëtarët e tjerë të familjes në këto kushte ekonomike dhe shëndetësore.

© SYRI.net