95 % e shërbimeve online/ Hapi i radhës, kalimi online i të gjitha përgjigjeve me vula dixhitale

0
171

95 % e shërbimeve shtetërore janë kryer online përmes platformës e-Albania, në një kohë kur para 2013-ës vetëm 13 shërbime kryheshin online.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj deklaron në një intervistë në medie se hapi i radhës do të jetë kalimi online i të gjitha përgjigjeve për aplikimet.

“Kur e mora AKSHI-n në 2013-ën kishte vetëm 25 punonjës, ishin vetëm 13 shërbime online, tani janë 1207, domethënë 95 % e shërbime që ofron shteti shqiptar. Ka mbetur vetëm 5 % pa kaluar online dhe ky 5 % ka nevojë të domosdoshme për praninë fizike të personit ose të mjetit. Një nga këta është dhe kolaudimi”, tha ajo.

Karçanaj shprehet se kemi ende shumë punë për të bërë.

“Ne kemi shumë plane për e-Albanian dhe për përmirësimin e shërbimeve. Hapi i radhës do të jetë kalimi online i të gjitha përgjigjeve për aplikimet, me vula dixhitale. Radha në institucione është zëvendësuar nga një aplikacion i thjeshtë, në e-Albania, ku qytetarët hyjnë dhe gjejnë gjithçka”, u shpreh Karçanaj. /a.a/r.e/