A do ta zbardhë Nuredin Dumani “Masakrën e Bradasheshit”? Si u përgjak vigjilja e Vitit të Ri në Elbasan dhe të dyshuarit kryesorë

0
849

Një ngjarje që përgjaku vigjiljen e Vitit të Ri 2018 në Elbasan. Më 29 dhjetor 2018 tre persona u vranë me armë zjarri në lagjen ‘Katund i Ri’, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgjik, pranë rreth rrotullimit të Bradasheshit.

Tre viktimat Endrit Alibej alias Ravik Dylgjeri, Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay udhëtonin me një mjet me targa italiane AG71WYP kur janë qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Autori sipas hetimeve të mëvonshme të policisë rezultoi Mikael Qosja (Kamami), teksa i përfshirë dyshohej të ishte dhe Talo Çela, miku që u kthye në armik i Nuredin Dumanit, tashmë i penduar i drejtësisë. Dumani me vëllain, Talo Çelën dhe Kamamin dyshohet që ka qenë në mesin e ekzekutorëve. Pikërisht kjo ngjarje e rëndë kriminale, pritet të zbardhet plotësisht nga policia pas dëshmisë së tij. Fije të ngatërruara që do të shthuren tashmë për të mbërritur në atë që e mban në dorë. Emisioni investigativ “Në Shënjestër” në News24 ka sjellë në disa puntata detaje dhe informacione për vrasjet ku ishte i përfshirë Nuredin Dumani etj.

MOTIVI
Një sasi prej 50 kg kokainë që u zhduk në Britaninë e Madhe dyshohet të jetë motivi i vrasjes së trefishtë në Bradasheh, ku viktima mbetën Endrit Alibej alias Ravik Dylgjeri, Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay.

 

 

Si autor i ngjarjes dyshohet Mikael Qosja i cili është shpallur në kërkim. Ai dyshohet se fshihet në Dubai. Pas masakrës që ndodhi fund dhjetorin e 2018 në Elbasan u regjistruan ngjarje të rënda kriminale. Në masakrën e Bradasheshit dyshohej të ishte përfshirë edhe Talo Çela i shumëkërkuar për megagrabitjen e Rinasit dhe vrasje. Ai u shoqërua asokohe nga policia dhe u mor në pyetje, por nuk u gjetën prova që ta mbanin nën arrest.

Para hetuesve Talo Çela ka deklaruar se ka qenë në shtëpi natën e ngjarjes dhe ka dëgjuar vetëm të nesërmen, se çfarë kishte ndodhur. Ai ka sqaruar se kamerat e vendosura në banesën e tij në rrugën e vjetër për në Bradashesh nuk kanë qenë aktive ditën e ngjarjes.

Me viktimën Endrit Alibej, ai pranonte se kishte lidhje, për faktin se njeh Donin, dajën e tyre, i cili është me origjinë nga Peqini nga ku është dhe vetë me origjinë. Pas vrasjes së trefishtë u ekzekutua edhe Andi Zylyfi, djali i hallës së Endrit Alibej. Pas kësaj dyshohet se për t’u hakmarrë vëllai i Endrit Alibej, Erjoni tashmë i arrestuar ekzekutoi Emiljano Ramazanin, mikun e tij Regis Runaj që dyshoheshin si “ushtarë’ të grupit që urdhëroi masakrën si dhe vëllain e Talo Çelës.

Endrit Alibej në momentin e vrasjes udhëtonte me një automjet në pronësi të një rumuni që nuk rezulton të ketë rekorde kriminale. Alibej ishte në ndjekje nga prokuroria e Krimeve të Rënda për drogë.

Autorët sipas policisë u kanë zënë pritë viktimave ndërsa të tre ishin futur në automjet dhe po bëheshin gati të lëviznin drejt Elbasanit me një fuoristradë me targa të huaja pasi kishin darkuar me disa familjarë të tyre. Në këtë moment është hapur zjarr në drejtim të automjetit ku ndodheshin tre viktimat duke qëlluar me breshëri dhe për pasojë ka humbur jetën në vend Endrit Alibej, 34-vjeç dhe Arben Dylgjeri, 56 vjeç, që të dy banorë të qytetit të Elbasanit si dhe shtetasi Erdal Duranay, 51 vjeç nga Turqia.

Viktimat jetonin jashtë vendit dhe ishin kthyer vetëm para pak ditësh për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri. Autorët dyshohet se janë larguar pas kryerjes së krimit me një makinë në drejtim të rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe për të gjetur gjurmët e tyre janë marrë pamje të kamerave të sigurisë si dhe janë shoqëruar dhjetëra persona.

(m.k/BalkanWeb)